back to top
Monday, March 9, 2026
BallinaLajmeDënohet me 20 vjet burgim e akuzuara për vrasjen e kunatit

Dënohet me 20 vjet burgim e akuzuara për vrasjen e kunatit

Të ngjajshme

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim Nazmije Millakun, e akuzuar për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Bahtiri tha se e akuzuara Millaku është fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, i vazhdohet me aktvendim të veçantë.

E akuzuara obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndërkaq, u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, pasi nuk u provua se e ka kryer këtë vepër penale. U urdhërua  të bëhet konfisikimi i armës e më pas shkatërrimi i saj.

Gjykata njoftoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi ta pranojnë vendimin në formë të shkruar.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara Suzana Millaku, u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, prezente në shpallje ishte vetëm e dëmtuara, kurse mungoi e akuzuara me avokaten e saj, Mirvete Hashani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nazmije Millaku akuzohej se më 20 gusht 2024, në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, në Prishtinë, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie, me dashje ka privuar nga jeta kunatin e saj Xh.M., ku e pandehura ishte ndier e parespektuar dhe e braktisur nga familjarët, duke menduar se tani i ndjeri kishte ndikim.

Aktakuza thotë se e akuzuara fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale duke përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra e më pas ishte certifikuar dhe kishte blerë armë zjarri dhe municion. Aty thuhet se ajo shfrytëzon rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent në momentin që e kishte parë tani të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, del në korridor dhe në mënyrë dinake me armën e lartcektur shtie në drejtim të tij disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë.

Autopsia ka konstatuar se vdekja e Xh.M., ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e destruksionit të trurit dhe gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme. U konstatuan 18 plagë të shkaktuara nga 11 të shtëna.

Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.

Millaku akuzohej edhe se nga 21 dhjetorit 2023 deri më 20 gusht 2024, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët posedoi një armë zjarri, tre karikatorë e 39 fishekë, e që ndonëse e kishte përfunduar kursin për përdorimin e armës, ende nuk ishte pajisur me leje për mbajtjen e armës. Arma iu gjet gjatë kontrolli në çantën e saj kur kishte shkuar në stacion policor, e disa prej municionit i ishte gjetur në dhomën e saj.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal./Indeksonline/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz