Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për, siç tha ajo, cenim të kushtetutshmërisë dhe për qasje të papërgjegjshme në qeverisje.
Ajo u shpreh se situata aktuale politike i ka rikthyer kujtesën qytetarëve për periudha të vështira të së kaluarës dhe se vendimet e opozitës për mospjesëmarrje në disa seanca kanë qenë, sipas saj, të qëlluara.
“Të gjithë ata që e kanë përjetuar atë periudhë të subremimit të autonomisë prej një regjimi fashist, iu ka kthyer memoria. Tash me shtet të pavaruar, të kemi një kast politike me një kryeministër të papërgjegjshëm që merr vendime ta rrënojë Kushtetutshmërinë, vendin demokratik dhe për t’i shërbyer narracionit të armiqëve tanë”, tha ajo.
“Ne nuk iu jemi sjellë si Albin Kurti ka qenë në opozitë, vendimi për mos të marrë pjesë në ato seanca ka qenë një ndër vendimet më të mira që i kanë marrë forcat politike opozitare”, shtoi Deliu Kodra.
Deliu-Kodra tutje tha se Kurti, sipas saj, ka testuar durimin e opozitës deri në fund dhe ka tentuar të krijojë presion politik në raport me proceset institucionale.
“Unë jam e bindur thellë, që Albin Kurti e ka testuar durimin e opozitës deri në fund. Ai mendoi që opozita nuk është e gatshme për zgjedhje dhe deri në fund dhe mendoi që nga frika për zgjedhje, ne do të kthehemi në sallë, pastaj të bëhemi pjesë e kourimit për t’ia siguruar Kurtit një president”, tha ajo në Blic Interview.