E enjtja që shkoi ishte dita e fundit që Kuvendi i Kosovës pati mundësinë të zgjedhë presidentin e ri për pesë vitet e ardhshme. Megjithatë, deputetët s’arritën të gjejnë konsensusin mes tyre, gjë e cila çoi drejt dështimit të seancës. Për këtë, presidentja Vjosa Osmani, mëngjesin e së premtes nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Vendimi i saj, nxiti reagime të shumta e të ndryshme. Edhe juristët e panë vetën në qëndrime të kundërta, ku disa i dhanë të drejtë Osmanit, e disa, e kundërshtuan atë.
Porse, reagimet e ashpra erdhën nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Përveç se e kundërshtuan vendimin, nga disa deklarime të tyre u fol edhe për ‘’plane’’ e ‘’skema’’, përcjell Express.
Për këtë foli vetë lideri i VV’së, Albin Kurti. Ky i fundit në konferencën për media, në deklarimin e tij, tha se, për momentin ‘’shumë gjëra janë vështirë të kuptueshme’’’, porse shtoi Kurti, ‘’koha do të tregojë shumë shpejtë se çfarë ka qenë ky lloj plani’’.
‘’Krizë të tillë institucionale e cila tash në mënyrë të detyrueshme na shpie në zgjedhje të reja. Unë besoj që shumë gjëra janë vështirë të kuptueshme tani, aq më vështirë të shpjegueshme, ndoshta deri diku të përshkrueshme, por koha do të tregojë edhe atë shumë shpjete se çfarë ka qenë ky lloj plani a kjo lloje skeme që neve të detyrohemi për zgjedhje të përsëritura në mënyrë të padrejtë e të pa nevojshme, madje edhe prej atyre që thoshin ‘’jo jo nuk i duam zgjedhjet’’. Ju po e shihni tash se VV, unë si kryetar e kryeministër jam i vetmi në fakt që nuk jam për zgjedhje të reja, e ata të tjerët që thoshin dikur që janë për zgjedhje të reja tash janë shfaqur në një dritë tjetër’’, tha ai në konferencën për media.
Një deklarim të ngjashëm e pati sonte edhe deputeti i LVV’së Agim Bahtiri. Edhe ky i fundit në postimin e tij në Facebook, foli për ‘’skenar’’, dhe, duke shtuar se ‘’çdo gjë do të dalë në dritë’’.
‘’Po presim të zbulohet se i kujt është ky skenar për ta bllokuar shtetin dhe nga e kanë burimin gjithë ato lojëra që bëhën në emër të shtetit për ta ri-fituar pushtetin sepse për dikë pushteti qenka më me vlerë sesa shteti. Çdo gjë do të dalë në dritë, sepse askush nuk e ka të drejtën që për shkak të mospërmbushjes se ambicieve të saj, të fut padrejtësisht në krizë një shtet të tërë’’, shkroi ai.
Pavarësisht këtyre deklarimeve, nuk është e qartë se në çfarë aludon partia në pushtet. Megjithatë, kritikat e akterëve të saj ndaj Osmanit kanë qenë të shumta, duke shprehur pakënaqësi për vendimin e saj. /Express