Kjo deklaratë kërcënuese për prokurorin Elez Blakaj i ka kushtuar me arrestim deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj.
Pas Milaim Zekës, ai është bërë deputeti i dytë i Kuvendit të Kosovës që arrestohet për kërcënim prokurorësh, raporton KTV.
Zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka konfirmuar se Demaliajt i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për kanosje.
Shkumbin Demaliaj është i akuzuar në rastin e listave të veteranëve të UÇK-së si ish-anëtar i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve.
E për të njëjtën vepër penale, deputetit Milaim Zeka i është caktuar masa e paraburgimit në seancën gjyqësore që u mbajt të enjten.
Mbrojtja e Zekës këtë vendim të gjykatës e ka cilësuar të pabazuar.
Megjithatë, Zeka i ka kërkuar falje prokurorit special Afrim Shefkiu.
Në kërkesën e paraburgimit të prokurorit Rexhep Maqedonci thuhet se dyshohet që Zeka ka kryer veprën penale kanosje ndaj prokurorit Afrim Shefkiu.
Prokurori kërkesën e tij për paraburgim e ka bazuar në rrezikun e ikjes së të pandehurit dhe pengim të procedurës penale.
Gjykimi ndaj Milaim Zekës dhe të tjerëve për mashtrim të kosovarëve me viza pune të Gjermanisë pritet të nisë më 2 tetor.
Sipas Prokurorisë, gjithashtu ekziston rreziku se i dyshuari, duke e shfrytëzuar autoritetin e tij si deputet, mund të ndikojë në prokurorin Afrim Shefkiu.