De Bruyne beson se Premierliga ia mohoi thyerjen e rekordit të asistimeve

Kevin De Bruyne beson se Premierliga ia mohoi padrejtësisht një rekord asistimesh, i cili tani mbahet nga Bruno Fernandes.
Fernandes regjistroi asistimin e tij të 21-të të sezonit gjatë fitores 3-0 të Manchester Unitedit ndaj Brighton & Hove Albionit, duke asistuar për golin e Patrick Dorgu.
Më pas, portugezi shënoi edhe vetë për të vulosur fitoren në ndeshjen e fundit të sezonit, duke vendosur rekordin e ri për më shumë asistime në një sezon të vetëm të Premierligës.
Më parë, rekordi ndahej nga De Bruyne dhe legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, me nga 20 asistime.
De Bruyne pretendon se ai duhej ta kishte pasur një asistim shtesë gjatë sezonit 2019/20, në fitoren 3-0 të Manchester Cityt ndaj Arsenalit.
Në atë aksion, pasimi i tij i gjatë preku lehtë gjurin e David Luiz përpara se topi të shkonte te Raheem Sterling, i cili shënoi.
Megjithatë, Premierliga nuk ia regjistroi asistimin belgut për shkak të prekjes së pavullnetshme të Luiz.

Lexo edheSalah me lot në sy, përshëndetet me tifozët në “Anfield”
Në një intervistë të vitit 2023, De Bruyne u ankua publikisht: “Ma hoqën një asistim kundër Arsenalit. Dhe kur festuan asistimin tim të 100-të, e përdorën pikërisht atë aksion në video! Mund ta imagjinoni sa gabim ishin?”.
Ai kishte shprehur pakënaqësi edhe gjatë sezonit 2019/20, duke thënë se ende nuk e kuptonte vendimin.
Madje, Premierliga i hoqi edhe një asistim tjetër po ndaj Arsenalit në ndeshjen e kthimit atë sezon.
Kur llogaria zyrtare e Premierligës publikoi se ai kishte 16 asistime, De Bruyne reagoi shkurt: “18.”.
Tani, me Bruno Fernandes që ka vendosur rekordin me 21 asistime, debati për statistikat e De Bruyne është rikthyer sërish në vëmendje./GazetaExpress/














