Analisti amerikan Daniel Serwer ka reaguar pas lajmit për dorëheqjen e Richard Grenell nga posti i drejtorit të Kennedy Center në Uashington, duke shprehur shpresën se ish-drejtori nuk do të marrë ndonjë detyrë në Ballkan apo në ndonjë pjesë tjetër të botës.
“Lajm i mirë, por shpresoj të mos marrë ndonjë punë në Ballkan, apo në ndonjë pjesë tjetër të botës,” shkroi Serwer pas raportimeve për largimin e Grenell, i cili gjatë mandatit të tij ishte përballur me turbulenca të shumta në menaxhimin e qendrës kombëtare të artit, përfshirë anulime të performancave dhe kritika nga komuniteti artistik, transmeton lajmi.net.
Grenell, i cili njihet edhe për aktivitetet e tij ndërkombëtare në Ballkan dhe rolin si i dërguar amerikan në dialogun Kosovë–Serbi, u emërua drejtor i Kennedy Center në shkurt të vitit 2025. Mandati i tij u karakterizua nga vendime të diskutueshme dhe tensione të vazhdueshme në institucion, gjë që sipas burimeve pranë Shtëpisë së Bardhë, ndikoi në vendimin për largimin e tij.
Reagimi i Serwer thekson pritshmëritë që ish-drejtori i Kennedy Center të mos vazhdojë karrierën në rajon, duke mbajtur fokusin tek reputacioni i tij ndërkombëtar pas periudhës problematike në qendrën e artit./lajmi.net/