BallinaLajmeLajmet e FunditÇitaku i përgjigjet Kurtit: Në vend se të japë llogari për aferat...

Çitaku i përgjigjet Kurtit: Në vend se të japë llogari për aferat e qeverisë, sulmon opozitën si patriarkale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sot sulmoi partitë opozitare pas dështimit për votimin e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Çitaku tha se Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe për përfshirjen e figurave të afërta me pushtetin në afera korruptive, ka zgjedhur ta etiketojë opozitën si “patriarkale dhe të prapambetur”.

“Albin Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, në vend që të përgjigjet për aferat e panumërta korruptive të qeverisë së tij, në vend që të sqarojë përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë, ka zgjedhur, si zakonisht, të sulmojë opozitën, duke e etiketuar si patriarkale dhe të prapambetur”, ka shkruar Çitaku.


“E kanë votuar ‘Zajednicën’, e kanë amnistuar kriminelët serbë” – Kurti kritikon disa deputetë pas dështimit të 24-të të seancës

Lexo po ashtu
“E kanë votuar ‘Zajednicën’, e kanë amnistuar kriminelët serbë” – Kurti kritikon disa deputetë pas dështimit të 24-të të seancës

Ajo theksoi se është ironike që Kurti akuzon opozitën për patriarkalizëm, kur PDK, sipas saj, ka qenë e para që ka propozuar një grua për presidente – Flora Brovinën – dhe ka mbështetur vazhdimisht gratë në pozita të larta.

Çitaku rikujtoi se PDK e ka bërë të qartë se nuk do të votojë ministrat e Qeverisë Kurti 2, ndërsa Vetëvendosje, me afro 40 deputetë, ka mundësi të propozojë një emër tjetër për postin e kryekuvendarit.

Në reagimin e saj, ajo listoi edhe gratë të cilat, sipas saj, janë sulmuar ose shkarkuar nga Vetëvendosje gjatë qeverisjes Kurti, përfshirë Valdete Dakën, Vlora Hysenin dhe Gresa Cakën./Telegrafi/

- Advertisement -