Që nga ardhja në pushtet e koalicionit PAN, në shtatorin e vitit 2017, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, filluan që ta harrojnë të kaluarën e ‘hidhur’ me njëra tjetrën, shkruan Gazeta Blic
Të dy krerët e këtyre partive, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, kishin filluar që t’i shpeshtonin takimet mes tyre, madje edhe bisedat për një koalicion para apo edhe paszgjedhor mes tyre.
Por, duket se tashmë gjërat kanë ndryshuar.
Me të marr vendimin për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe moskandidimin e kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, filloi edhe përplasja në distancë mes Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Albin Kurti ripërsëriti atë që e kishte thënë që një kohë të gjatë, duke kërkuar bashkëpunim me LDK-në – kërkesë e cila tashmë mori një përgjigje të ashpër nga numri dy i Lidhjes Demokratike dhe pretendenti kryesor për ta marrë kreun e partisë, Agim Veliu.
Veliu udhëheq me Komunën e Podujevës, në të cilën është në një ‘luftë’ të ashpër me Lëvizjen Vetëvendosje.
Madje në vitin 2017, ai për pak humbi këtë komunë, pikërisht nga kandidati i VV-së, Ajet Potera.
Për koalicionin e përmdur Kurti, Veliu ka thënë dje se Albin Kurti ka të drejtë të flasë vetëm për partinë e vetë, e jo për LDK-në.
“Albin Kurti ka të drejtë me folë veç për partinë e vet jo për LDK-në”, tha Veliu kur u pyet se a do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Kurtit që të bëhen bashkë për të shkuar në zgjedhje.
Ai tha se të gjitha idetë diskutohen brenda LDK-së, e jo dikush të flasë në emër të partisë.
“Gjitha idetë që i ka LDK-ja i diskuton në organet e saja, jo dikush me folë në emër të LDK-së”, ka thënë Veliu.
Menjëherë pas deklaratës së Veliut, ka reaguar shefi i asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri.
Ai e ka akuzuar rëndë nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu, duke e cilësuar vegël të Partisë Demokratike të Kosovës.
Fitim Haziri ka thënë se Agim Veliu dhe Lutfi Haziri e kanë kapur LDK-në, ashtu siç i ka kapur ata Partia Demokratike e Kosovës.
“Jo Albin Kurtit, por Agim Veliu e Lutfi Haziri nuk i japin të drejtë të flasin as anëtarëve e strukturave të larta të LDK-së, sepse Veliu e Haziri e kanë kapur LDK-në, ashtu siç janë të kapur këta nga PDK-ja”, ka shkruar Fitim Haziri.
Haziri e ka akuzuar Veliun, duke thënë se “çdoherë kur e ka pasur n’zgripc në Llap në ndihmë për të mbledhur vota për të i ka dalë PDK-ja, siç ishte balotazhi në shtator të 2017-ës me LVV, ku ishin angazhuar të gjitha strukturat e PDK-së që vetëm e vetëm të fitojë Agim Veliu”.
“Agim Veliu çdoherë kur e ka pasur n’zgripc në Llap në ndihmë për të mbledhur vota për të i ka dalë PDK-ja, siç ishte balotazhi në shtator të 2017-ës me LVV, ku ishin angazhuar të gjitha strukturat e PDK-së që vetëm e vetëm të fitojë Agim Veliu. Kështu ndodh gjithherë: PDK i ndihmon Veliut në Podujevë e Veliu ua ndreq pazaret PDK-së në qendër. Ky është borxhi që duhet kthyer”, ka shtuar tutje Haziri.
Madje, ai ka thënë se qëllimi i Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit, është të bëjnë koalicion me PDK-në.
“Edhe pse vullneti i votuesve dhe i strukturave të LDK- së mund të jetë pro një koalicioni me LVV, qëllimi i Veliut dhe Hazirit është drejt një koalicioni me PDK-në në qeverisje. Edhe tani në qeverisjen në Podujevë Veliu ka koalicion të fshehtë me PDK-në, ku çdo pikë e rendit të ditës në Kuvendin Komunal e mundësojnë të kalojë këshilltarët e PDK-së”, ka përfunduar zyrtari i VV-së në Podujevë.
Zgjedhjet priten të mbahen shumë shpejt, teksa po ashtu në fillim të muajit gusht, pritet zgjedhja e kryetarit të LDK-së, ku pretendentë kryesorë janë pikërisht, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri.