Çfarë gjuhe po ua mësojmë fëmijëve tanë?

Reagim për gjuhën e përdorur në Librin e Leximit për klasën e parë.
Nga Nikollë D. Ukaj
Një libër i klasës së parë nuk është thjesht një përmbledhje tekstesh dhe ushtrimesh. Për shumë fëmijë, ai është ndër takimet e para serioze me fjalën e shkruar, me gjuhën standarde dhe me mënyrën se si shkolla i mëson të komunikojnë.
Prandaj, çdo fjalë që vendoset në një tekst të tillë meriton kujdes të veçantë.
Duke shfletuar librin “Leximi 1”, për klasën e parë të arsimit fillor, hasa disa shprehje që më shtynë të pyes: a janë vërtet këta shembujt gjuhësorë që duam t’ua ofrojmë fëmijëve në fillimet e shkollimit të tyre?
Në rubrikën “Kur dikush thotë…”, nxënësve u kërkohet të kuptojnë domethënien e disa shprehjeve të gjuhës së përditshme. Ndër to janë:
“Ma more fytyrën” – “Po më turpëron”;
“Hiqmu qafe” – “Më lër rehat”;
“Futja gjumë” – “Të flesh”;
“Nxehe karrigen” – “Të shkosh të mësosh”;
“Punon si kalë” – “Punon shumë”.
Le të jemi korrektë: këto shprehje nuk paraqiten si modele që fëmijët duhet t’i përdorin. Synimi është që nxënësi të kuptojë domethënien e shprehjeve që mund t’i dëgjojë në komunikimin e përditshëm.
Por pikërisht këtu lind pyetja: a mjafton që një shprehje të përdoret në përditshmëri që ajo të jetë zgjedhja e duhur për Librin e Leximit të klasës së parë?
Gjuha figurative mund t’u mësohet fëmijëve edhe përmes shembujve më të përshtatshëm, më edukativë dhe më të kujdesshëm. Sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kuptimin e fjalëve. Bëhet fjalë edhe për kulturën e komunikimit që fillojmë të ndërtojmë te fëmija.
Fëmijët mësojnë duke dëgjuar, imituar dhe përsëritur. Shkolla është një prej mjediseve kryesore ku ata formojnë jo vetëm njohuritë, por edhe mënyrën e të shprehurit. Për dallim nga komunikimi spontan i përditshmërisë, shkolla ka edhe përgjegjësi edukative.
Natyrisht, askush nuk mund të thotë se një shprehje e lexuar një herë në klasën e parë do të përcaktojë mënyrën se si një njeri do të flasë gjithë jetën. Por gjuha me të cilën fëmija rritet, edukohet dhe ushtron komunikimin ndikon gradualisht në shprehitë e tij gjuhësore.

Lexo edheShtufi rrëfen vizitën e Riza Salihut pas vrasjes së Gërvallës e Zekës: Erdhi të kërkonte alibi
Sot ankohemi shpesh për banalizzi min e komunikimit publik, për ofendimet në rrjetet sociale, për agresivitetin verbal dhe mungesën e respektit në debat. Por kultura e komunikimit nuk krijohet brenda një dite. Ajo ndërtohet gradualisht – në familje, në shoqëri dhe, padyshim, edhe në shkollë.
Prandaj, shkolla duhet të jetë vendi ku standardi i komunikimit ngrihet, jo vendi ku çdo shprehje e komunikimit të pakujdesshëm normalizohet vetëm sepse përdoret në përditshmëri.
Madje, standardet zyrtare për tekstet shkollore në Kosovë përcaktojnë se gjuha e tekstit duhet t’u shërbejë nxënësve si shembull, ndërsa leksiku dhe formulimet duhet të jenë të përshtatshme për moshën dhe aftësitë gjuhësore të tyre.
Atëherë pyetja bëhet edhe më e rëndësishme:
Nëse teksti shkollor duhet të jetë shembull gjuhësor për fëmijën, çfarë shembulli dëshirojmë t’i japim atij në moshën gjashtë apo shtatë vjeç?
Gjuha shqipe është jashtëzakonisht e pasur. Kemi shprehje popullore, fjalë të urta, krahasime dhe metafora të panumërta, përmes të cilave fëmija mund ta zbulojë bukurinë dhe pasurinë e shqipes pa qenë e nevojshme që ndër shembujt e tij të parë shkollorë të përzgjidhen formulime si “Hiqmu qafe” apo “Ma more fytyrën”.
Çështja nuk është nëse këto shprehje ekzistojnë në shqip. Natyrisht që ekzistojnë.
Çështja është kur, si dhe në çfarë konteksti pedagogjik vendosim t’ua mësojmë fëmijëve.
Një tekst shkollor nuk duhet vetëm të pasqyrojë gjuhën që ekziston jashtë shkollës. Ai duhet edhe ta pasurojë atë, ta kultivojë dhe t’i ofrojë fëmijës modele sa më të mira komunikimi.
Ky reagim nuk është sulm ndaj autorëve të librit dhe as ndaj mësimdhënësve që punojnë çdo ditë me fëmijët tanë. Është një ftesë për debat profesional dhe një thirrje për MASHTI-n, hartuesit dhe recensentët e teksteve, pedagogët, psikologët, gjuhëtarët dhe mësimdhënësit që përmbajtja e librave të klasave të para të shqyrtohet me ndjeshmëri të veçantë.
Sepse, kur flasim për një fëmijë gjashtë apo shtatë vjeç, nuk po flasim vetëm për një nxënës që duhet të mësojë të lexojë.
Po flasim për një fëmijë që po mëson si ta përdorë fjalën.
Dhe fjala nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo edukon, krijon raport me tjetrin, bart respekt ose mungesë respekti dhe, kur përsëritet, bëhet pjesë e kulturës sonë.
Prandaj duhet të kemi kujdes se çfarë vendosim në librin e parë të fëmijës. Sepse nuk mund të kërkojmë nesër një shoqëri me kulturë më të lartë komunikimi, nëse sot nuk kujdesemi për gjuhën me të cilën edukojmë brezat e rinj.
E ardhmja e komunikimit tonë fillon edhe nga fjalët e para që ua vendosim fëmijëve në bankën shkollore.












