Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur para mediave pas mbledhjes së kryesisë.
Ajo ka thënë se në seancën e 25 marsit, ajo ka deklaruar se seanca ndërpritet por nuk përmbyllet.
“Në seancën e 25 marsit unë kam thënë që seanca ndërpritet por jo përmbyllet, dhe kam thënë që ajo do të hapet dhe do të thirret prapë kur të plotësohen kushtet”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se pret nga kryetari i VV-së dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti që të ketë kërkesa e ftesa për takime me subjektet e tjera politike.
“Siç u njoftua, kryeministri Kurti sot ka bërë të qartë që do të vazhdojë me ftesat për subjektet, grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj uroj që këto debate, këto diskutime, këto takime të çojnë deri te një zgjidhje për çështjen e presidentit. Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse kemi humbur shumë dhe kemi shumë punë për të bërë. Prandaj uroj që këto diskutime, këto takime të sjellin rezultate konkrete, po ftoj të gjitha palët që të jenë serioz”, tha ajo. /lajmi.net/