Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet publike që e lidhin atë me Gjykatën Speciale në Hagë, duke i quajtur ato të pavërteta dhe shpifje.
Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë as ftesë, as kontakt, as ndonjë formë bashkëpunimi me këtë gjykatë, transmeton lajmi.net
“Donika Gërvalla nuk ka asnjë kontakt, as dëshmi, as ka qenë ndonjëherë dëshmitare në Hagë. Kushdo që pretendon të kundërtën, do të përballet me hapa ligjorë”, ka theksuar ajo.
Gërvalla u shpreh se është bërë e padurueshme të akuzohet si “anti-UÇK” nga individë që, sipas saj, nuk kanë pasur asnjë kontribut gjatë luftës.
“Të gjithë ata që më sulmojnë në publikë si anti-UÇK duhet të maten mirë. Historia tregon se kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare, disa ende kanë qenë duke pirë qumësht. Emrat dhe kontributi në luftë nuk e arsyetojnë asnjë gabim gjatë kohës së lirisë. Është bërë bozë kjo temë”, deklaroi ajo me tone të ashpra.
Ministrja paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi ligjore për secilin që, sipas saj, përhap dezinformata me qëllim dëmtimi të imazhit të saj./lajmi.net/