Shqipëria po kalon një krizë rezultatesh, si rrallëherë në dekadën e fundit. Për ish-kapitenin e përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, kjo situatë ka vetëm një zgjidhje: rifreskimin e përfaqësueses kuqezi. Ndërsa nuk ka pranuar të flasë për “liderin” brenda skuadrës, Cana ka bërë të qartë se duhet filluar puna për të ardhmen.
“A mungon lideri në skuadër? Pyetja tjetër… Çfarë duhet bërë për të gjetur frymën e Europianit? Ka ardhur koha të vijnë gjeneratat e reja. Pikërisht atë kemi nisur të bëjmë me programin e fondacionit, në mënyrë që jo vetëm të bëhen sportistë, por njerëz të mirë për shoqërinë tonë.
Patjetër që i ndjekim të gjitha ndeshjet e përfaqësueses, madje kur fola me fëmijët edhe ata e kishin ndjekur. Nisën të këndonin ‘KuqeZi’ dhe janë vetëm 4 vjeç”, ishin fjalët e ish-kapitenit për këtë temë të nxehtë në prononcimin e tij para gazetarëve gjatë prezantimit të Fondacionit “Lorik Cana 5”.
Pas humbjes tronditëse me Luksemburgun, kanë filluar diskutimet nëse trajneri Xhani De Biazi duhet të vazhdojë apo jo në drejtimin e skuadrës, në një situatë ku zërat për largimin e tij bëhen gjithnjë e më të shpeshtë.
“Këto janë gjëra që duhet të vlerësohen nga personat, nga institucionet dhe nga vetë i pari trajneri. Nëse ai ka dëshirë të vazhdojë, trajneri është një person që ka dhënë shumë dhe ka mundësi të japë ende edhe shumë.
Është në dorën e tij. Por, nëse ka dëshirë dhe e ndjen që duhet të bëjë eksperienca të tjera, atëherë vetëm duhet falënderuar, t’i heqim kapelën dhe të ecim përpara”, theksoi Cana.
Megjithatë, ai nuk e sheh si tragjedi humbjen përballë Luksemburgut, pasi mendon se ndeshjet e vërteta janë vetëm ata zyrtare.
“Skuadra ka një ndeshje të dielën dhe është e rëndësishme të jetë mirë atje. Lojtarët e dinë shumë mirë çfarë duhet të bëjnë. Jemi një skuadër që për sa i takon potencialit jemi në të njëjtin nivel me Izraelin apo edhe ndoshta më mirë.
Duhet edhe pak fat. Nuk duhet të harrojmë që çdo ndeshje, çdo pikë, çdo fitore është e rëndësishme. Pavarësisht nëse kualifikohemi, pozicionohemi të dytët apo të tretët nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që të bëjnë më të mirën dhe kam shumë besim te lojtarët të dielën.
Kur kam qenë pjesë e skuadrës kam qenë i lumtur, pasi janë djem fantastikë dhe të mrekullueshëm. Jam me fat që kam qenë pjesë e Kombëtares, sepse gjithçka e kemi bërë bashkë. Jam ndjerë shumë krenar që i kam udhëhequr dhe kemi pasur marrëdhënie të jashtëzakonshme.
Tani Loriku e ka bërë pjesën e tij dhe do vazhdoj ta mbështes Kombëtaren, si gjithmonë, por kam nisur një punë të re, për ti mundësuar gjeneratave të reja të rriten me vlera më të mira”, theksoi ai.
Fondacioni “Lorik Cana 5” ka nisur misionin e tij në mbështetjen e sportit për fëmijët e të rinjtë, në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare. Sot u prezantua edhe projekti i parë i realizuar nga ky fondacion, një fushe multi-funksionale në Kopshtin Nr. 64 në kryeqytet, ndërsa planifikohet që projekte të tilla të zhvillohen në të gjitha trojet mbarëkombëtare.