Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ngriti shqetësime serioze për legjitimitetin moral dhe politik të një procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara që mbështetet mbi dokumentacion nga shteti që kreu spastrim etnik ndaj popullit të Kosovës.
Duke kujtuar faktin se në bankën e të akuzuarve janë figura kyçe të luftës çlirimtare, Cakolli ka vlerësuar se proceset e tilla përbëjnë përpjekje për të rishkruar historinë e Kosovës dhe për të cenuar dinjitetin kolektiv të saj.
Postimi i plotë:
Nuk mund të gjykohet askush “në emër të popullit të Kosovës”, kur provat e pranuara në proces gjyqësor vijnë pikërisht nga ai aparat që planifikoi dhe ekzekutoi spastrimin etnik kundër po këtij populli.
Për më keq, kur në bankën e të akuzuarve janë ata që udhëhoqën çlirimin e Kosovës, duke e larguar përgjithmonë Serbinë nga kjo tokë.
Prandaj, protesta e 7 gushtit është e domosdoshme.
Jo kundër drejtësisë, por kundër padrejtësive në emër të saj. Mbi të gjitha, për të mbrojtur dinjitetin tonë kolektiv, duke mos heshtur përballë përpjekjeve për rishkrim të historisë.