Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vepruar drejt kur mori vendim për moscertifikimin e Ena Krasniqit.
Sipas tij, përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë duhet të jetë substancial.
“Kur një kandidate ka një histori brenda hapësirës politike shqiptare, ka garuar më herët me parti shqiptare dhe nuk ka pasur ndonjë angazhim të dokumentuar me komunitetin boshnjak, është e natyrshme të shtrohet pyetja se si përputhet kjo me qëllimin e ulëses së rezervuar. Vendlindja në Sarajevë, ashtu si çdo analogji e ngjashme, nuk përbën provë identitare sipas standardeve zgjedhore”, shkruan Cakolli.
“Kushtetuta dhe praktika gjyqësore kërkojnë që përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë të mos jetë vetëm deklarim formal, por substancial. Identiteti politik dhe publik duhet të reflektojë lidhje të qëndrueshme me komunitetin për të cilin kërkohet ulëse e rezervuar. Ky parim u konfirmua edhe në vitin 2021, kur u anuluan votat boshnjake të fituara në zona ku nuk jetonte ky komunitet”, shkruan ai, derisa sqaron se ligji e parasheh dallimin mes subjekteve që garojnë për 100 ulëset e deputetëve dhe ato që kanë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Por, Cakolli thotë se pretendimet për komplot janë të tepruara.
“Një kandidaturë e vetme nuk e ndryshon balancën politike të komunitetit boshnjak, dhe edhe nëse do të ekzistonte një tentativë e koordinuar, mjetet e ndikimit do të ishin të tjera, jo kjo. Orientimi i votës është i mundur në çdo rast dhe, siç e kemi parë edhe më herët, institucionet gjyqësore ndërhyjnë kur ky orientim prodhon përfaqësim artificial”, thotë ai, derisa shton se më shumë ky rast është keqvlerësim se sa projekt politik.
“Rasti duket më shumë si një keqvlerësim dhe shfrytëzim i hapësirës ligjore, jo si projekt politik. Çështja, megjithatë mbetet e qartë. Përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë duhet të mbrohet nga instrumentalizimi. Kjo kërkon konsistencë, lidhje reale dhe respektim të standardit kushtetues të përfaqësimit substancial”, shkruan Cakolli.