Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që shpall të paligjshëm një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me arkat fiskale.
Sipas Cakollit, Gjykata Supreme e qartësoi përfundimisht se “(ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ”.
“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli thekson se “Këtë e kemi thënë prej muajsh. Megjithatë, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston. Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”.
Sipas tij, sot nuk ka më trillime juridike. “Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe për qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale”, shkruan ai.
Raprtohet se Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Po ashtu thuhet se Udhëzimi administrativ, i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave më 15 prill të këtij viti, është shpallur i jashtëligjshëm.
Aktgjykimi është nxjerrë më 7 korrik nga një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi.
Sipas raportimeve Supremja e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, kompanive Enternet dhe Service Global, të cilat merren me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale.
Për këtë ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Sipas tij, “monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon”.
“Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet. Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale.Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”, shkruan Murati në Facebook.