Eugen Cakolli nga shoqëria civile i ka dalë në mbrojtje gazetarit Kushtrim B. Sadiku, pas kritikave dhe sulmeve që ky i fundit ka marrë në lidhje me dokumentarin e tij për luftën në Izrael, me fokus ngjarjet e 7 tetorit.
Cakolli ka vlerësuar dokumentarin “Dhimbja që nuk harrohet” si një realizim të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ai trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe njerëzore dhimbjen e viktimave të asaj dite, pa e kushtëzuar atë me zhvillime të tjera të konfliktit.
Sipas tij, dokumentari nuk synon të shpjegojë gjithë luftën apo të bëjë bilanc të përgjithshëm të viktimave, por fokusohet në një ngjarje konkrete, duke përfshirë edhe përmendjen e viktimave palestineze, pa hyrë në analiza politike apo historike.
Cakolli ka vlerësuar si të padrejta kërkesat që një dokumentar për 7 tetorin të përfshijë domosdoshmërisht edhe zhvillimet në Gaza apo gjithë zinxhirin e ngjarjeve para dhe pas, duke e krahasuar këtë qasje me pretendimin se një dokumentar për sulmet e 11 shtatorit 2001 nuk do të duhej të fliste vetëm për viktimat në SHBA pa trajtuar luftërat pasuese.
Ai ka theksuar se trajtimi i një krimi nuk nënkupton mohimin e një krimi tjetër dhe se fokusimi në vuajtjen e civilëve izraelitë nuk e mohon vuajtjen e palestinezëve.
Sipas Cakollit, shumë nga reagimet ndaj dokumentarit janë problematike, pasi kritikat nuk lidhen me vërtetësinë e fakteve, por me pyetjen se pse po flitet për një palë e jo për tjetrën, gjë që sipas tij shpesh ndikohet nga identiteti, feja apo qëndrimet politike, e jo nga humanizmi.
Në fund, Cakolli ka theksuar se empatia dhe dhimbja nuk duhet të kalojnë nëpër filtra identitarë apo politikë, duke shtuar se fakti që dokumentari nuk trajton gjithçka nuk e bën atë të njëanshëm apo propagandistik, por një shprehje të ndershmërisë njerëzore.