Eugen Cakolli nga IKD, ka reaguar në lidhje me takimin që ka mbajtur sot i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën për zgjedhjen e Presidentit.
Ai ka thënë se zgjedhja e Presidentit është punë e Kuvendit, dhe sipas tij është pak e ‘çuditshme’ që takimet për këtë temë të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte proces i Qeverisë.
“Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare. Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak Kryeministër-deputetë”, ka thënë Cakolli.
Cakolli gjithashtu ka shtuar se për shkak të konsesusit të gjerë parlamentar prej 2/3 që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit, koha sipas tij është vendimtare.
“Më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të votohet suksesshëm Presidenti; në të kundërtën, hyjmë në një situatë të shkeljes kushtetuese që praktikisht e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka shkruar Cakolli. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: