Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka takuar ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në fushën e arsimit dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë sektor, me theks Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
“Falënderova ambasadorin për mbështetjen që Zvicra ka bërë në shtetndërtimin e Kosovës, e në veçanti në reformimin e sistemit të arsimit, njëherësh shtroi nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme.
Ne kemi nevojë për përkrahje, sidomos në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, të përvetësojmë modelet të zhvillimit të mësimit dual, përkatësisht ndërlidhjen e mësimit teorik dhe praktik.
Na mungon një shtrirje adekuate e shkollave profesionale në rajone, e që po e vështirëson zhvillimin e punës praktike të nxënësve, por edhe zhvillimi i profileve të reja, adekuat me nevojat e tregut të punës.
Ambasadori Jean-Hubert Lebet, tha se Zvicra, do të vazhdojë që ta mbështesë zhvillimin e Kosovës, zhvillimin e arsimit, sidomos zhvillimin e arsimit profesional”, ka njoftuar Bytyqi në FB.