Kandidati i PDK-së për komunën e Lipjanit dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shukri Buja, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në një protestë që pritet të mbahet të mërkurën, më 7 gusht, në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, Buja ka ftuar qytetarët, bashkëluftëtarët dhe mbështetësit e vlerave të luftës që t’i bashkohen kësaj proteste, të cilën e ka cilësuar si reagim ndaj padrejtësive dhe përjashtimit të veteranëve nga vendimmarrja dhe institucionet shtetërore, raporton lajmi.net
“Sot, shumë nga ata që sakrifikuan gjithçka për këtë vend ndihen të harruar, të nëpërkëmbur dhe të përjashtuar nga kujdesi institucional. Po përballemi me padrejtësi sistematike dhe mungesë të respektit ndaj gjakut të derdhur”, shkruan Buja.
Ai thekson se protesta është një kërkesë për drejtësi dhe dinjitet, dhe një zë kundër heshtjes. “Është qëndrim për nderin, për dinjitetin dhe për të ardhmen që nuk guxon të ndërtohet mbi harresën e së kaluarës”, thuhet mes tjerash në thirrjen e tij.
Postimi i plotë:
“Të nderuar qytetarë, bashkëluftëtarë dhe mbështetës të vlerave të lirisë,
Ju ftojmë të bashkoheni në protestën kundër padrejtësisë, e cila do të mbahet të mërkurën, më 07 gusht 2025, në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sot, shumë nga ata që sakrifikuan gjithçka për këtë vend ndihen të harruar, të nëpërkëmbur dhe të përjashtuar nga vendimmarrja dhe kujdesi institucional. Po përballemi me padrejtësi sistematike, me mungesë të respektit ndaj gjakut të derdhur dhe vuajtjeve të atyre që dhanë gjithçka për lirinë që e gëzojmë sot.
Kjo protestë nuk është vetëm reagim; është kërkesë për drejtësi!
Është zë i atyre që nuk duan më heshtje!
Është qëndrim për nderin, për dinjitetin dhe për të ardhmen që nuk guxon të ndërtohet mbi harresën e së kaluarës!
Ejani dhe bashkohuni!
Bëhuni pjesë e kësaj proteste për të mbrojtur vlerat e luftës dhe për të kërkuar trajtim të barabartë, dinjitoz dhe të merituar për të gjithë ata që kontribuan për lirinë tonë”./Lajmi.net/