Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj dhjetëra personave, grupeve dhe furnizuesve nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Kina, të cilët akuzohet se kanë ndihmuar migrantët që të kalojnë Kanalin e La Manshit. Në mesin e të sanksionuarve është edhe një shqiptar.
Njoftimi për vendosjen e sanksioneve vjen në një kohë kur Qeveria britanike po përballet me presion politik për të ndalur valën arritjeve në shifra rekorde të migrantëve, të cilët po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nga veriu i Francës.
Kush u sanksionua nga Ballkani?
Kjo është hera e parë që Mbretëria e Bashkuar përdor regjimin e ri të sanksioneve për migrimin e paligjshëm global.
Në total, 20 individë dhe katër banda u sanksionuan – dy grupe nga Ballkani dhe dy me origjinë nga Afrika e Veriut që operonin në Ballkan, si dhe kompania kineze, Weihai Yamar Outdoor Product Co.
Në mesin e të sanksionuarve është shqiptari Bledar Lala. Sipas Mbretërisë së Bashkuar, ai kontrollon “operacionet belge” të një grupi të organizuar kriminal që është i përfshirë në kalimet e paligjshme.
Po ashtu është sanksionuar banda Kavaç, një grup i krimit të organizuar nga Ballkani, që njihet për përdorimin e pasaportave false për të kontrabanuar anëtarët e tij nga Ballkani në Turqi.
Po ashtu, banda Shkalari, një grup i krimit të organizuar në Mal të Zi që kontrabandën kriminelë mes Ballkanit dhe Turqisë është në listën e sanksioneve.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka shënjestruar Alen Basil, ish-përkthyes policor, i cili akuzohet se aktualisht drejton një rrjet të madh të trafikimit të migrantëve në Serbi, duke “terrorizuar refugjatët me ndihmën e policëve të korruptuar”.
Po ashtu, sanksione janë vendosur ndaj Mohammed Tetwani, të cilin autoritetet britanike e përshkruajnë si “mbret të Horgoshit”, për shkak të mënyrës brutale me të cilën, sipas Londrës, menaxhon një kamp migrantësh në qytetin serb Horgosh.
Personat e sanksionuar dhe entitetet përballen me ngrirje të aseteve dhe ndalesë të udhëtimeve, tha Zyra për Punë të Jashtme e Britanisë.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e quajti këtë “një moment historik të punës së Qeverisë për të luftuar krimin e organizuar sa i përket migrimit”, që tha se po prek Mbretëinë e Bashkuar.
Pothuajse 24.000 migrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit deri më tani më 2025 – që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit./REL/