Mbretëria e Bashkuar do të nisë brenda disa javësh kthimin e emigrantëve që mbërrijnë me gomone nga Franca, në kuadër të një marrëveshjeje të re pilot mes dy vendeve.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një vizite shtetërore në Paris, njoftoi se marrëveshja do të funksionojë sipas parimit “një për një”, për çdo emigrant të kthyer në Francë, Britania do të pranojë një azilkërkues nga territori francez, pasverifikimeve të sigurisë.
Qëllimi i këtij pilotimi është frenimi i kalimeve të paligjshme nëpërmjet Kanalit të La Manshit dhe goditja e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Starmer e cilësoi planin si një qasje të re, që mund të bëhet model për zgjidhjen e një krize që ai e përshkroi si globale dhe të përbashkët për Britaninë dhe Bashkimin Evropian.
Marrëveshja do të nisë me të rriturit dhe përfshin një platformë online për aplikime nga ata që jetojnë në Francë dhe duan të kërkojnë azil në Britani. Prioritet do t’u jepet personave nga vende të rrezikuara nga trafikimi dhe atyre që kanë lidhje me Britaninë. Ndërkohë, marrëveshja ende është në fazë shqyrtimi ligjor nga ana e BE-së dhe pritet të finalizohet pas konsultimeve me shtetet anëtare.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se marrëveshja do të ketë efekt parandalues dhe shtoi se Brexit-i e ka vështirësuar për Britaninë menaxhimin e migracionit të paligjshëm. Ai kritikoi narrativën që i ishte shitur publikut britanik se BE ishte shkaku i këtij problemi.
Përveç marrëveshjes për emigrantët, dy liderët njoftuan edhe bashkëpunime të reja në fushën e mbrojtjes bërthamore, inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së armëve.
Opozita konservatore dhe partitë e djathta në Britani e kritikuan planin, duke e quajtur të pamjaftueshëm dhe jopraktik. Ata theksuan se pjesa dërrmuese e emigrantëve do të lejohen të qëndrojnë dhe se marrëveshja nuk do të ketë efekt pengues. Ndërsa qeveria e re laburiste ka braktisur planin e mëparshëm për të dërguar emigrantët në Ruandë, duke e cilësuar atë një mashtrim politik, ajo është zotuar të fokusohet në çrrënjosjen e rrjeteve të trafikimit dhe ndalimin e punës së paligjshme.
Kjo marrëveshje shënon një ndryshim të madh në qasjen e Britanisë ndaj migracionit të paligjshëm, duke e vendosur theksin te bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ndarja e përgjegjësive me vendet partnere.