Skuadra nga Championshipi anglez, Bristol City, është interesuar për shërbimet e mbrojtësit të Kosovës, Leart Paqarada, nga FC Koln.
Menaxheri i skuadrës, Gerhard Struber, po dëshiron që ta forcojë ekipin në repartin defensiv, më saktësisht krahun e majtë.
Paqarada është lojtari që gazeta gjermane “Kicker” ka raportuar se po e dëshiron Bristol City.
Mbrojtësi 30-vjeç i Kolnit ishte shumë i rëndësishëm për ta, duke ndihmuar klubin të promovohet sërish në Bundesliga.
Në 31 paraqitje të ligës për klubin sezonin e fundit, Paqarada realizoi gjashtë asiste dhe krijoi 16 shanse të mëdha shënimi, sipas “Sofascore”.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, me më pak se një vit të mbetur në kontratën e tij aktuale, përfaqësuesi i Kosovës po e konsideron largimin nga North Rhine-Westphalia.