Gara e katërt e vlefshme për kampionatin vendor në disiplinën malore (pas Grashticës, Kullës e Krujës) mbahet këtë fundjavë në Brezovicë, e vetmja në të cilën zhvillohet vetëm një vozitje, duke marrë parasysh gjatësinë e shtegut prej 7.7 kilometrash.
Gara në Brezovicë gjithmonë pritet me interesim të madh dhe fakti që tashmë është edhe në kalendarin e FIA CEZ e bën edhe më atraktive, pasi pjesëmarrës janë edhe garues nga vende tjera, përfshirë fituesin e vitit të kaluar Laszlo Szasz, pastaj Gentjan Shaqirin nga Shqipëria, i cili vjet u rendit i dyti e të tjerë.
Bashkë me këta dy garues favoritë për podium llogaritet edhe i treti nga viti i kaluar, Gazmend Demolli.

Sigurisht që edhe garuesit tjerë i kanë ambiciet e tyre për plasmanin sa më të mirë si në kampionatin vendor, ashtu edhe në atë të FIA CEZ.
Ndërkohë, organizatori, AK Ferizaj, ka punuar me shumë përkushtim për organizim sa më të mirë të garës.
Po ashtu, opinioni njoftohet se të shtunën dhe të dielën, do të ketë mbyllje të përkohshme të rrugës për veturat civile. Sigurisht që organizatorët do të përpiqen që pritjet e tyre do të jenë sa më të shkurtra.
Paraqitja në garë bëhet të shtunën nga ora 09:00-11:00 e më pas vazhdohet me procedurat e zakonshme, ndërsa hapja zyrtare e garës bëhet të dielën në orën 11:45.