Shtetet e Bashkuara duket se po shtojnë përpjekjet e tyre për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke dërguar avionë luftarakë për të goditur anijet iraniane dhe helikopterë Apache për të rrëzuar dronët iranianë, raportoi sot Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë ushtarakë amerikanë.
Operacionet e shtuara të Pentagonit synojnë të zvogëlojnë kërcënimet nga Irani, i cili ka bllokuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i marsit. Nëse kërcënimi zvogëlohet, SHBA-të mund të dërgojnë anije luftarake përmes Ngushticës dhe të shoqërojnë anijet brenda dhe jashtë Gjirit Persik, ndër të tjera, për të “çliruar” tregtinë e naftës dhe karburantit.
Sipas Wall Street Journal, megjithatë, pritet që SHBA-të të kalojnë javë të tëra për të pastruar rrjetet strategjike iraniane që kanë krijuar turbulenca serioze në një pikë strategjike që shërben 20% të eksporteve globale të naftës dhe pjesën më të madhe të transportit tregtar. Gjatë një konference për shtyp në Pentagon, Gjenerali i Forcave Ajrore Dan Kaine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Forcave, zbuloi operacionin, duke thënë se avionë luftarakë A-10 të armatosur rëndë, të njohur edhe si Warthog, si dhe helikopterë Apache, po kryejnë misione fluturimi mbi Ngushticën e Hormuzit.
“Aeroplanët A-10 Warthog tani janë aktivë në frontin jugor, duke goditur mjete sulmi të shpejta në Ngushticën e Hormuzit”, u tha Kane gazetarëve. Ai shtoi se helikopterët Apache “i janë bashkuar betejës në frontin jugor”. Ai tha se disa aleatë, pa i përmendur emrat e tyre, po i përdorin për të “kundërshtuar sulmet me dronë”, të cilat janë një nga armët më efektive që Irani ka përdorur për të synuar vendet fqinje arabe dhe infrastrukturën e tyre energjetike në Gjirin Persik.
Ndërkohë, çmimet e naftës po binin mëngjesim e sotëm në tregjet aziatike, disa orë pas konferencës për shtyp të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbrëmë në të cilën ai tha se Irani po “shkatërrohej” dhe se lufta mund të mbaronte “më shpejt” sesa mendohej më parë.