Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Radio Televizionit të Kosovës për largimin e gazetarit Visar Krasniqi.
Ajo e ka cilësuar këtë veprim si akt censure të pastër dhe shkelje të parimeve të një media publike, transmeton lajmi.net
“Çfarë turpi! Censura në RTK nga moderatorët ka përfshirë edhe redaktorët e lajmeve qëndrore,” ka shkruar Deliu-Kodra në një postim publik, duke komentuar zhvillimin që ka ngjallur reagime në opinionin mediatik dhe politik.
Sipas saj, largimi i Krasniqit vetëm pse kishte cituar intervistën e ish-presidentit Hashim Thaçi, është i papranueshëm dhe bie ndesh me misionin e një mediumi publik. “Largimi i Visar Krasniqit nga RTK vetëm pse citoi intervistën e Hashim Thaçit është censurë e pastër,” shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se RTK është media e qytetarëve dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument të politikës për të heshtur mendimet ndryshe. “RTK është media publike, e financuar nga qytetarët, dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politikash për të heshtur zërat ndryshe,” përfundoi ajo./lajmi.net/