Pacientët të cilët janë shtrirë për trajtim në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, përveç sëmundjes me të cilën përballen, kanë dhe një hall tjetër. Në kliniken në të cilën nuk është investuar dhe ka kushte tejet të rënda, ka rënë dhe zgjeba.
Një paciente i ka thënë “Indeksonline”, se ka dëgjuar stafin teksa flisnin për pacientet me zgjebë dhe se po frikësohen se zgjeba do të përhapet tek pacientet e shtrirë, duke marrë parasysh kushtet në këtë klinikë.
“Unë dëgjova teksa flisnin për përhapje te zgjebës tek pacientët dhe se po ndihemi të rrezikuar kur dihet që i përdorim dhe toaletet e përbashkëta”, tha pacientja.
E teksa pacientët janë në panikë të përhapjes së zgjebës në këtë klinikë, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë Musa Hoxha tha për “Indeksonline”, se vetëm një pacient është i infektuar me zgjebë dhe se nuk ka përhapje të zgjebës në klinikën që ai drejton.
“Në Klinikën e Pulmologjisë një pacient thanë se është i dyshimtë për zgjebë dhe e kemi lënë në një dhomë vet. Pacienti ka dhe në sëmundje kronike, tuberkukozit e kemi lënë vet në një dhomë”, tha Hoxha.
Megjithëse zgjeba është e pranishme në klinikë, aty nuk është bërë as dezinfektim. Drejtori Hoxha thotë se dezinfektimi do të bëhet pasi që pacienti të dalë nga spitali.
“ Dezinfektim nuk është bërë. Hapësirat do të dezinfektohet kur të del pacienti. Sa është aty pacienti s’ke qysh e dezinfekton”, tha ai.
Se a ka ardhur me zgjebë pacienti apo është infektuar në klinikë, Hoxha thotë se këtë nuk e dijnë dhe se për këtë duhet diagnostikim.
“Pacienti a ka ardh me zgjebë, duhet të diagnostikohet . Sigurisht është infektu diku dhe ka ardh në klinikë, zgjeba i do inkubacion nja pesë ditë. Ska pacientë të tjerë të infektuar. Sot kam qenë në vizitë e pash pacientin është i izoluar në një dhomë”, tha ai.