Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar sot qëndrimin e tij lidhur me protestën në mbështetje të krerëve të UÇK-së që u zhvillua në Tiranë.
Ai e nisi duke u dhënë përgjigje raporteve se deputeti i PD, Bujar Leskaj, kishte shkelur urdhrin e partisë.
“Së pari, në lidhje me deklaratën e Bujar Leskajt, dua të theksoj se nuk ka pasur urdhër për të marrë pjesë apo për të mos marrë pjesë në protestën e Organizatës së UÇK-së”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi gjithashtu që ka shprehur konsideratat e tij personale për këtë kauzë.
“Unë mbështes luftën e drejtë të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së dhe kam shprehur konsideratat e mia për këtë.”
Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulim të kauzës së UÇK-së ndërsa e kritikoi për refuzimin e rezolutës për gjenocidin serb, duke cilësuar anëtarët e mazhorancës si “antishqiptarë të betuar”.
“Të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb tregon se je antishqiptar i betuar, një argat mjeran i nacionalizmit serb”, theksoi Berisha.
Ai përmbylli duke theksuar se gjenocidi ndaj shqiptarëve ka vazhduar gjatë gjithë historisë.
“Shqiptarët kanë përjetuar dhunë barbare nga serbët. Trocky shkruante se Vardari ishte mbushur plot me trupa shqiptarësh pas betejës së Kumanovës. Gjenocidi ndaj shqiptarëve është kryer gjatë gjithë kohës, deri tek ato moderne”, përfundoi Berisha.