Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një alarm të fortë në lidhje me atë që e cilësoi si shtrirje të grupeve kriminale të lidhura me qeverinë shqiptare në Kosovë, duke paralajmëruar për rreziqe serioze ndaj sigurisë rajonale.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi raportimet e mediave në Kosovë për investime të dyshimta në sektorin e ndërtimit nga grupe pranë kryeministrit Rama, Berisha deklaroi se ekziston rreziku i ngritjes së një skeme të pastrimit të parave, të ngjashme me atë që sipas tij ndodh në Tiranë.
Ai theksoi se një zhvillim i tillë do të dëmtonte rëndë procesin e integrimit të Kosovës dhe do t’i jepte argumente Serbisë për ta akuzuar atë si një “narko-shtet”.
Në deklaratën e tij, Berisha përsëriti akuzën se Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës është kthyer në një “narko-shtet” që përbën një kërcënim jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën.
“Në mediat e botës po rritet denoncimi i mafies shqiptare si mafia ndërkombëtare më e rrezikshme e planetit,” u shpreh ai, duke pretenduar se kjo mafie është eksportuesi kryesor i kanabisit dhe transportuesi kryesor i kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme dhe të prerë ato që i quajti “tentakulat mafioze të Tiranës” në territorin e tyre, me qëllim mbrojtjen e shtetit ligjor.
Më herët, Berisha konfirmoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar në projektin e saj për një Mirditë të bashkuar brenda kufijve të saj natyralë si një entitet i vetëm i qeverisjes vendore, një projekt që sipas tij do të zbatohet nga qeveria e ardhshme e dalë nga kjo forcë politike.