Nga Teki Dërvishi
Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i postmodernitetit në letrat shqipe. Lirika e tij sublime që u paraqit në vitet e gjashtëdhjeta në letërsinë shqiptare shquhet me veçorinë e saj, me origjinalitetin. Bashkë me Jusuf Gërvallën, Beqir Musliu është poeti më lirik në letërsinë shqipe jo vetëm të kohës së tij krijuese, por edhe më larg. I takon grupit të vogël të atyre krijuesve shqiptarë që asnjëherë nuk lejuan të instrumentalizoheshin politikisht, duke i ndenjur besnik vokacionit krijues të artistit. Kështu arti i Beqir Musliut mbeti një opus kombëtar si një vijë në lidhjen e kontinuitetit të rilindësve shqiptarë. Është i pari ose më i miri nga mjeshtrit e fjalës artistike që e ngjalli metaforën e harruar të artit gojor shqiptar, duke i ritrajtuar poetikisht epet dhe legjendat shqiptare. Këtë metaforë ai e ngjalli me rafinimin e gjuhës së artit dhe e nxori nga përdorimi arkaik që zvarritej në poezinë soc-realiste. I çliruar nga ngarkesat ideologjike, ai pati një ideal krijues: ta bëjë të flasë kumbueshëm shpirti i gjuhës shqipe. Fati i krijuesve të mëdhenj, siç thoshte Kishi, është i ngjashëm, madje identik. Edhe jeta krijuese e Beqir Musliut është një metaforë e fatit që i përcjell krijuesit e mëdhenj dhe opuset e tyre që bëjnë thesarin e kulturës së një kombi. Si e tillë, si vepër madhështore, arti i Beqir Musliut letërsisë shqipe i dëshmoi dy dhunti që janë më karakteristiket: ai ishte mësues i brezave të rinj krijues, poeti që pati më së shumti ndikim në brezat dhe gjeneratat e reja dhe dy, vepra e tij dëshmon se në artin shqiptar megjithatë ka pasur si ai dhe të tjerë – krijues që nuk u janë nënshtruar diktateve dhe hartimeve ideologjike për t`i shitur si art, krijues të formatit të madh si Beqir Musliu, i cili ia fali tërë qenien e vet krijuese artit dhe që u pajtua të jetë skllav i artit të vet, të vetmes gjini të bukur të jetës së tij. Beqir Musliu ishte krijuesi më i madh i kohës së tij dhe si i tillë do të mbetet bashkë me më të mëdhenjtë që ka letërsia shqiptare… /Hejza