Mbarë industria e teknologjisë u trondit ditën e djeshme me lajmet se Europa formalisht ka përpiluar një akt akuzë ndaj gjigandit të internetit Google për shfrytëzim të pozitave domuniese në treg me Android-in në dëm të konkurrentëve.
Komisionerja Europiane për konkurrencën, Margaret Vestager, gjatë një konference javën e kaluar konfirmoi atë që pritej prej kohësh: “Google ka abuzuar me pozitat dominuese,” shprehje ajo.
Ditën e djeshme në rrjetin social Twitter bëri bujë një cicërimë po e Vestager ku thoshte: “Mesa duket ju (Google) po abuzoni me pozitat dominuese në treg duke imponuar kufizime për prodhuesit e telefonëve Android.”
Vitin e kaluar, Komisioni Europian akuzoi formalisht Google për shfrytëzim të pozitave dominuese në dëm të rezultateve të kërkimit pas një hetimi katër vjeçar të çështjes. Po të njëjtën kohë Komisioni Europian bëri të ditur se po fillonte një tjetër padi ndaj Google lidhur me sistemin operativ Android për detyrimin e prodhuesve të telefonëve Android në integrimine disa aplikacioneve të Google.
Ankesa kryesore e Komisionit Europian është pikërisht imponimi nga ana e Google ndaj prodhuesve për të përfshirë në telefonët tyra disa aplikacione të kompanisë si Gmail, Google Search, Google Play në këmbim të Android-it.
Google nga ana tjetër është shprehur vazhdimisht se prodhuesit janë të lirë të vendosin çfarë aplikacionesh duan të përfshijnë në telefonët e tyre. Ky qëndrim është i saktë deri në një farë pike. Konkretisht Amazon e ka bërë realitet këtë gjë duke ndërtuar një version të saj të Android me shërbimet dhe aplikacionet vetjake.
Por nëse një prodhues telefonësh Android dëshiron të përfshijë vetëm Gmail dhe Google Maps, është i detyruar të përfshijë të gjithë setin e aplikacioneve si Google Play dhe Search.
Megjithatë ky nuk është i vetmi rast. Në 2014-tën, një dyqan aplikacionesh Android në Portugali dërgoi një padi pranë autoriteteve Europiane me arsyetimin se Google po abuzon me pozitat dominuese në treg duke detyruar prodhuesit të shmangin dyqanet e pavaruara të aplikacioneve në favor të Google Play.
Nokia, Microsoft dhe Oracle gjithashtu ka shprehur pakënaqësitë e tyre rreth Google dhe Android-it. Pak muaj më parë Google humbi betejën gjyqësore në Rusi me rivalin lokal Yandex ku në qendër të vëmendjes ishte Android-i. (CIO Albanian)