BBC ngre alarmin për borxhin amerikan: Ekonomia po hyn në zonën e dritës së verdhë

Shqetësimet për gjendjen e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara janë shtuar pas të dhënave se borxhi kombëtar amerikan ka kaluar 40 trilionë dollarë, duke shkaktuar alarm edhe brenda vendit.
Kur Trump nisi mandatin e tij të parë presidencial, në vitin 2016, borxhi i SHBA-së ishte pak më i ulët se 20 trilionë dollarë. Sipas BBC-së, gjatë dekadës së fundit kjo shumë është dyfishuar.
Eric Swanson, profesor ekonomie në Universitetin e Kalifornisë dhe ish-ekonomist i lartë në Rezervën Federale, thekson se ndryshimi kryesor krahasuar me dhjetë vjet më parë lidhet me normat e interesit.
“Ajo që është shumë ndryshe tani, në krahasim me një dekadë më parë, është niveli i normave të interesit”, shprehet Swanson.
Ai shton se interesat afatgjata në SHBA janë ndër më të lartat e dekadave të fundit. Një pjesë e kësaj rritjeje lidhet me frikën për inflacionin, ndërsa pjesa tjetër me shqetësimet rreth nivelit ekstrem të huamarrjes së qeverisë amerikane.

Lexo edheFamilja e të arratisurit Mefail Shkodra ka një ankesë, thotë se dikush po ua sulmon vilën luksoze
Investitorët në tregun e obligacioneve po kërkojnë kthime më të mëdha, të shqetësuar nga përmasat e borxhit të SHBA-së. Paralelisht, kompanitë e teknologjisë, të cilat po marrin hua kolosale për financimin e investimeve në inteligjencën artificiale, po garojnë me qeverinë për kapitalin e investitorëve.
Parashikimet tregojnë se borxhi amerikan mund të arrijë rreth 64 trilionë dollarë deri në vitin 2036. Megjithatë, ekonomistët vlerësojnë se situata nuk ka hyrë ende në një fazë kritike.
Statusi i SHBA-së si ekonomia më e madhe në botë dhe roli i dollarit si monedhë rezervë globale i sigurojnë vendit një “hapësirë shumë më të madhe për të gabuar fiskalisht” në krahasim me shtetet e tjera. Sipas ekspertëve, “po arrijmë në një pikë ku drita e verdhë po pulson, por nuk është ende dritë e kuqe”.
Borxhi kombëtar i Shteteve të Bashkuara përbën rreth 126% të madhësisë së ekonomisë. Megjithatë, kjo përqindje mbetet më e ulët se në vende të tjera të G7, përfshirë Japoninë dhe Italinë.












