Njëri prej pretenduesve kryesorë për karrigen e të parit të Drenasit, Naim Bazaj, ka siguruar elektoratin e tij se do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e 22 tetorit nëse Kadri Veseli vendos ta rikandidojë Ramiz Lladrovcin, shkruan sot, gazeta Zeri.
Kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, e cilëson si një parashutist që kishte ateruar në mjedis të Drenasit pa e ditur askush dhe pa e njohur askush.
Madje, vendimin e Kadri Veselit që ta kandidojë Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit 2016 e kishte krahasuar me kohën e Rankoviqit, kur, siç kishte thënë ai, “zarfin me emrin e atij që do të ishte kryetar i Komunës e sillte me tren”.
Naim Bazaj, njëri prej pretenduesve kryesorë për karrigen e të parit të Komunës së Drenasit në zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti, jashtëzakonisht i zhgënjyer me zhvillimet e fundit në Degën e PDK-së në Drenas, por edhe me “ndërskamcat”, e ka porositur PDK-në, Kadri Veselin dhe të gjithë ata që vendosin për Drenasin, për të ardhmen e Drenasit dhe për qytetarët e saj se me asnjë kusht nuk do të tërhiqet nga gara për kryetar në zgjedhjet e 22 tetorit.
Bazaj ka siguruar elektoratin e tij, shokët e luftës, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur në të gjitha zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Drenasi se nuk do t’i tradhtojë edhe një herë, siç kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2016 kur ishte tërhequr nga gara për kryetar të Drenasit, me “njëmijë lutje”, siç thotë ai, të Kadri Veselit dhe të udhëheqësve të PDK-së.
“Nuk do t’i tradhtoj edhe një herë ata që më kanë përkrahur dhe i kam pasur pranë vetes në të gjitha periudhat, edhe të këqija edhe të mira, nëpër të cilat ka kaluar Drenasi. U garantoj përkrahësve të mi, miqve, shokëve të luftës dhe të gjithë atyre që më kanë ndenjur pranë se nuk do t’i tradhtoj edhe një herë. I kam tradhtuar pak para fillimit të garës për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit të kaluar, sepse më ka lutur Kadri Veseli, më kanë lutur deputetë e njerëz të tjerë të rëndësishëm në PDK. Ata të gjithë që atëherë më kanë premtuar se në zgjedhjet e sivjetme do të më kandidojnë mua për kryetar të Drenasit. Ka qenë vetë Kadri Veseli ai cili më ka thënë, në prani edhe të disa njerëzve të tjerë, se ka gabuar kur ka vendosur për Ramiz Lladrovcin. Unë jam tërhequr duke i respektuar ata dhe fjalën e tyre që kanë dhënë. Vetë Veseli më ka thënë se nuk do ta bëjë edhe një gabim tjetër e ta propozojë Lladrovcin për kryetar. Unë pres që Kadri Veseli dhe ata njerëz rreth tij që kanë dhënë një premtim ta mbajnë atë, përndryshe, Naim Bazajn do ta kenë kundër”, ka thënë Bazaj gjatë një bisede me “Zërin”, të enjten.
Bazaj në vijim ka bërë të ditur se ekipi i tij tashmë është duke vepruar në gjithë territorin e Komunës së Drenasit dhe se do të jetë i përgatitur maksimalisht që t’i fitojë zgjedhjet për kryetar të Drenasit.
“Unë jam duke punuar në terren me gjithë ekipin rreth vetës. Unë jam aty duke pritur që PDK-ja të më kandidojë për kryetar të Drenasit. Me këtë kryetar që kemi nuk janë të kënaqur askush, as Dega e PDK-së, as Komuna, as qytetarët e Drenasit. Shihet qartë se ai i ka bërë dëm të madh PDK-së gjatë kësaj kohe. Nuk ka përmirësuar asgjë nga qeverisja e kaluar, përkundrazi është shumë më keq se në kohën kur me Drenasit ka qeverisur Nexhat Demaku. Gjithë Kryesia, por edhe 90 për qind e Degës së PDK-së në Drenas, janë kundër tij. Me Ramiz Lladrovcin, kandidat për kryetar të Drenasit, PDK-në e pret humbje e madhe nga e cila nuk do të mundë të mëkëmbet më kurrë. Është shumë keq që PDK-ja ka lënë anash shumë njerëz që dhanë kontribut të madh në ngritjen e saj, ndërsa i ka avancuar njerëz që kanë ardhur si parashutistë, edhe të atillë që kanë punuar kundër Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur Bazaj.
Krejt në fund, Bazaj ka porositur qytetarët e Drenasit, elektoratin e PDK-së para së gjithash, që të jenë përkrah tij deri në fund, duke i siguruar “se e ardhmja është me qeverisjen e tij me Drenasin në katër vitet e ardhshme”.

