Baton Haxhiu, në pjesën e tretë të letrës së tij për Albin Kurtin, që është shkruar enkas për Gazetën Express, ia rendit Kryetarit të Vetëvendosjes të gjitha gabimet e tij në politikë; prej Marrëveshjes së Rambujesë, e deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Tregon për koalicionet joparimore, për shkatërrimin e Vetëvendosjes dhe mbi të gjitha mendësine e tij të Stanishiqit, që tash kur jemi në vitin 2018, ende sheh filma me spiunë dhe mikroborgjezë të fshehtë.
Tek ‘Jeta në Kosovë’, Albin Kurti po ashtu deklaroi se tashmë ka vërejtur se si Lëvizje kanë dhjetëra mijëra faqe të shkruara për konceptin e tyre politik, por nuk kanë as dhjetëra faqe për format dhe praktikat e organizimit të brendshëm. Në fakt, përgjatë gjithë shpalosjes së vizionit të tij, në cilësinë e kandidatit për Kryetar të VV, diskursi i Kurtit më tepër ka qenë i koncentruar në çështje të ristrukturimit organizativ, sesa të reformimit ideo-politik.
Edhe tek emisioni në fjalë, Kurti veçanërisht nënvizoi sfidën e tij si Kryetar për të reformuar organizativisht VV-në. Kësisoj, rikthimi i Kurtit në krye të VV-së shfaqet i motivuar më tepër nga dimensioni organizativ se politik. Megjithatë, ky diskurs nuk tregon thjeshtë një vëmendje të shtuar të Kurtit për çështje teknike dhe organizative. Ai përmban në vetvete doza serioze të një arrogance politike që vjen nga vetëprojektimi i supremacisë së diskursit të tij politik. Përgjatë fushatës së tij si kandidat për Kryeministër nga VV, për shembull, vijimisht dhe mburrurazi ka treguar qysh plani i tij ‘40 pikësh’ është zgjidhja politike për Kosovën. Pa dashur të bëjë një dekonstruktim të tërësishëm të këtij programi, shumica e tij është e përbërë nga një fjali pompoze, pa asnjë elaborim përkatës empirik dhe metodik. Për shembull, ai përmban pika sikurse vijon: […] 2. Themelimi i ‘FAK’ (pa shpjeguar formën se si ndodhë kjo në rrethanat e dhëna); 4. Ndërtimi i Kapaciteteve të Reja Energjetike nga Kapitali Publik (pa thënë asnjë fjalë se si, sa dhe me çfarë shpenzimesh të afërsishme do të ndodhë kjo dhe pritjet nga ky proces); (…) 10. Krijimi i Planit për Furnizim me Ujë të Pijshëm në qytete dhe trajtimin e ujërave të zeza (në një program serioz, plani duhej të ishte i shpalosur këtu dhe jo të parashihet hartimi i tij); 11. Reformimi progresiv i tatimit në të hyra dhe reformimi i tatimit për Korporatat (pa asnjë elaborim të detajuar mbështetës, empirik dhe mbi llogari të qarta financiare); 15. Rimëkëmbja e shkollave të Republikës të Kosovës (pa një identifikim paraprak të defekteve infrastrukturore ose planeve edukative – tutje, pa asnjë sqarim çka nënkupton kjo rimëkëmbje); 27. Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të UÇK (pa dhënë asnjë shpjegim cfarë masash nënkupton saktësisht një ndërmarrje e tillë’; 36. Nisja e Zbatimit të planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës (një agjendë totalisht jo-rrethanore e VV-së dhe e pasqaruar me seriozitet të një partie që do të qeverisë me Kosovë); mes tjerash. Kësisoj, serioziteti i planeve politike të Kurtit më shumë është një vetëprojeksion i tij i imponuar në publik nga artileria e tij ideologjike dhe mediale sesa një fakt konkret dhe i dhënë. Qëndrueshmëria e politikës të Kurtit është e vetëkonfirmuar nga ai: assesi e mbështetur në një alternativë bindëse dhe argumentuese. Kjo është një indikatorë qysh prapa paraqitjeve të Kurtit si figurë modeste dhe vetë-kritike ekziston një arrogancë politike dhe prapa retorikave të tij intelektuale qëndron një stagnim serioz programatik. Megjithatë, këtu duhet të fokusohem vetëm në përmbajtjet politike të shpalosura përgjatë emisionit të tij tek ‘Jeta në Kosovë’. Konfuzioni i tij intelektual dhe politik është i dukshëm për çdo shikues me vëmendje minimale.
Së pari, në aspekt kulturor dhe historik, Kurti shpërfaq një qëndrim tepër demagogjik dhe inkonsistent. Lidhur me pranimin e tij të koalicionit me partinë Fjala të Kelmendit, Kurti thotë se kjo ka qenë në kuadër të planeve të tij për një koalicion me AKR. Sidoqoftë, për t’i shpëtuar akuzave për joparimësi të plotë për një koalicion të mundshëm me Kelemendin, ai vetëm shpërfaq edhe një joparimësi edhe me të thellë për koalicionin e dëshiruar me Pacollin. Merreni me mend, kritikuesi i ‘mikroborgjezisë’ dhe politikave ‘djathtiste’ saktësisht në këtë emision, shpërfaq planet e tij për një koalicion me AKR-në e multimilionerëve (për mua, natyrisht, nuk ka asgjë të keqe këtu!) dhe politikave djathtiste dhe liberale të tregut. Kësisoj, solidariteti socialdemokrat dhe sentimenti anti-borgjez i VV-së ndodhet brenda politikave privatizuese dhe neoliberale të AKR-së. Megjithatë, lexuesi i Pierre Bourdieu në emision, shfaqet me manipulime dhe inkonsistenca edhe më të thella se kaq. Ai thotë se bashkëpunimi i mundshëm nuk është domosdoshmërisht vleror, por edhe strategjik. Sipas Kurtit, VV ka bashkëpunuar edhe me njerëz kundër ‘bashkimit kombëtar’ ashtu sikurse potencialisht ka mundur të bashkëpunojë me kritikuesin e Skënderbeut, Gëzim Kelmendin. Në këtë pikë, potenca kritika e Kurtit shfaqet tepër sipërfaqësore. Një gamë e gjerë njerëzisht në Shqipëri dhe Kosovë sot nuk mbështesin politikat e bashkimit kombëtar për shkaqe krejtësisht politike rrethanore dhe administrative (kujto: Shqipëria si shtet i pavarur në mes të këtij viti gjasshëm do të hapë negociatat me BE), por assesi kulturore dhe historike. Kelmendi, ndërkaq, vijimisht është shfaqur si mbështetës i mendësisë otomane historike dhe politikave konservatore në Kosovë. Kësisoj, prizmi nga derivon kritika është esencial për qëndrimet e shpalosura politike. Është, pra, gabim total ideo-politik barazimi i kritikave të Kelmendit ndaj Skënderbeut ndaj kritikueseve të Kurtit për çështjen e bashkimit kombëtar. Ironikisht, Kurti që thotë në emision se ai nuk mund të merret me njerëz që e vendosin ku të donë shenjën e barazimit, ka vetë probleme në aplikim adekuat të kësaj shenje. Kjo bëhet edhe më problematike kur merr parasysh faktin se Kurti në fjalimin e paraqitjes të kandidaturës për Kryetarë të VV-së, mes tjerash, tha se do të aktualizon frymën e rilindësve shqiptarë, veçanërisht nga mesi i shekullit 19 e tutje. Në fund, pra, majtizmi progresiv vleror i Kurtit duket i kapërthyeshëm në rrjetën e konservatorizmit kulturor të Kelmendit. Kjo nuk tregon thjeshtë se Kurti është i gatshëm për kalkulime strategjike. Kjo tregon sa të negociueshme realisht janë bindjet e tij vlerore. Gjithsesi, kjo vërehet edhe tek fakti kur thotë se më tepër se Ramiz Alisë i kanë ikur njerëz vetëm Qeverisë të Isa Mustafës, ndërkohë qëllimi i tij publikisht i deklaruar deri pak-muajsh ka qenë saktësisht bashkëpunimi me ish-Kryeministrin. Në formë të përmbledhur, kjo tregon mjaft sa i përket thellësisë të mendimeve dhe qëndrueshmërisë të parimeve të tij politike.
Së dyti, Kurti thotë se është kundër ‘Gjykatës Speciale’ por shfuqizimi i saj i mundshëm duhet të kushtëzohet me zhbërje të ‘Demarkacionit’ dhe ‘Asociacionit’. Në fokus të protestave të tij me aktorë tjerë opozitarë megjithatë theksi publik ka rënë vetëm tek dy temat e fundit dhe jo tek mobilizimi popullor për zhbërjen e të parës. Fakti se kushtëzimi i Kurtit është i vonë tregon diçka për qasjen e tij që nga fillimi. E vërtetë e padiskutueshme: Kurti dhe VV kanë qenë zëshëm kundër ‘Gjykatës Speciale’ në Kuvend dhe publik. Kurti sot vlerëson se iniciativa e Presidentit të Kosovës është e pasinqertë. Në çfarëdo rrethane, nëse ai vlerëson më tepër strategji dhe veprime objektive sesa vlera a qëndrime subjektive siç implikon në intervistë, pse nuk shfaq konsistencë të plotë në ndërmarrje politike? Qëndrimi im personal lidhur me këtë çështje është diçka krejt tjetër. Megjithatë, duke u bazuar në vetë premisat e pikëpamjeve të tij, vetë qasja e tij eluzive tregon për një politikan përllogaritës më tepër sesa për një njeri sinqerisht të shqetësuar me vlerat e UÇK-së. Nga ana tjetër, forma e kushtëzimit të Kurtit për shfuqizim eventual të ‘Gjykatës’ është e bazuar mbi efektin praktik të rrëzimit të kësaj qeverie dhe ardhje të tij në pushtet. Në këtë skenarë, praktikisht prapa kauzave madhore politike dhe historike të Kurtit qëndron pandashmërisht skenari për pushtet institucional.
Në të njëjtën intervistë, Kurti po ashtu thotë se iniciativa e Presidentit është joserioze dhe e papërgatitur dhe ata nuk mund të zhbëjnë me ligj atë që është themeluar me Kushtetutë. Kjo pjesë gjithsesi gëzon peshën e vet. Por, a ju kujtohet Kurti duke thënë se nganjëherë për të gjykuar një konstatim duhet parë edhe prej kujt po vjen konstatimi? Saktësisht, vlerësimi për rendin konstitucional të Kosovës vjen prej njeriut që ka kërkuar publikisht shfuqizim të interpretimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese (prioritizim i interpretimeve arbitrare politike mbi interpretim juridik) për Kryeparlamentar vetëm për të krijuar mundësinë e të bërit Kryeministër. Për më shumë, ky interpretim vjen nga njeriu që publikisht ka kontestuar proceset e kushtetutë-bërjes të Kosovës duke i cilësuar si jo-demokratike dhe imponime të jashtme. Në këtë kuptim, brenga e tij konstitucionaliste duket më tepër mbulesë momentale sesa bindje politike. Është saktësisht njeriu që deri më sot nuk ka njohur asnjë instancë të gjyqësorit të Kosovës kur nuk i ka konvenuar atij. Gjithsesi, unë do të doja që Kurti të shfaqë një respekt më të madh për rendin kushtetues të Kosovës. Megjithatë, kjo duhet të vijë si rezultat i bindjeve të artikuluara politike dhe assesi i qëndrimeve momentale strategjike.
Në këtë mënyrë, masa e leximeve të proklamuara nga Kurti në emision është disproporcionale me atë të qëndrimeve autentike të mirë-menduara dhe konsistente.
Së treti, duhet të nënvizohen edhe dy faktorë shtesë. Nga njera anë, Kurti insiston se kritika ndaj tij për të qenurit paranojak është e pabazë. Qyshdoqoftë, prapa buzëqeshjeve të tij të relaksuara në emision, një element paranoje shfaqet vazhdimisht në të folurin e tij. Ai beson se shkapërderdhja e VV-së nuk është rrjedhojë e pakënaqësive të brendshme të shkaktuara nga vetë ai tek njerëzit me mendje të shëndoshë dhe personalitet të pavarur, por një shkaktim nga jashtë dhe i stimuluar nga njerëzit me ndikim nga Serbia në Kosovë. Kjo pamundësi e të kuptuarit direkt të qëndrimeve të të dorëhequrve në VV reflekton shumëçka nga karakteri paranojak. Për më shumë, njeriu që në kohën e lirë të vitit 2018 ende përhapë frikë nga Stanishiqi dhe ndërton politikë me aludime të fundviteve 1990 në pamundësi të adresimit konkret të sfidave të dhëna gjithsesi se ndanë shumë karakteristika me të kualifikuarit e tillë. Madje vetë Kurti tashmë sheshazi ka përhapur saktësisht vetë një mentalitet si të Stanishiqit duke zhbërë dallimin midis figurave ta angazhuara në politikë dhe agjentëve informativ. Pavarësisht se nga një kënd tjetër, disa tipare të asaj paradigmë të veprimit janë të njëjta. Një prej figurave teorike prej të cilave frymëzohet Kurti tregon se nganjëherë opozita bëhet histerike duke kritikuar mbretin se është mbret. Kjo për faktin se nëse mbreti është përnjëmend mbret atëherë opozita s’mund ta luan rolin e lirë në denoncim të gjerë të tij. Kësisoj, opozita e kësisojtë kundër mbretit në vetvete shpërfaq një relacion demokratik me të. Rasti i këtij autori më vjen ndërmend gjithsesi sa herë më kujtohet Kurti që duke pasur hapësirë mbi njëorëshe në Klan Kosova (dhe jo vetëm) kritikonte se është medialisht i kufizuar nga pushteti i shtypur. Problemi me këtë njeri është se ai jeton nëpërmjet përhapjes të panikut politik, paranojave sociale dhe proklamimeve të gjendjeve të jashtëzakonshme edhe atëherë kur nuk ekziston mbështetje për to. Kurti, pra, mishëron prototipin e figurës revolucionare midis Kosovës të lirë që legjitimon politika të tij në rrëfime tashmë të kaluara historike prej revolucionarëve të njëmendtë pararendës. Nga ana tjetër, Kurti rregullisht thotë se VV është një subjekt i gatshëm për qeverisje të Kosovës. Kriza e fundit organizative e saj tregon shumëçka për kapacitetin e saj për të menaxhuar institucione dhe praktikave të përdorura në funksion të menaxhimit të tyre. Por mungesa thelbësore vizionit politik të Kurtit është e dukshme tash e dy dekada: pa dhënë asnjë alternativë në vitet e pasluftës, Kurti ka përhapur akuza kombëtare e dilema politike që derivojnë nga marrëveshja e Rambujesë (së paku) nga viti 2005 e tutje. Ai më tepër ka dhënë një refuzim jorrethanor duke mos ofruar asnjë alternativë politike, diplomatike apo militare në situatë të dhënë. Mbi këtë bazë, Kurti ka organizuar protesta dhe demonstrata duke mbajtur fjalime se procesi i bisedimeve në Vjenë to sjellë luftë dhe se pavarësia (as formale) nuk do të vjen asnjëherë. Sipas tij, zgjidhja ishte revolucioni popullorë kundër UNMIK-ut për ta bindur Rusinë që në Këshill të Sigurimit për të ndryshuar rezolutën 1244. Ky shembull është vetevident në shpjegim të fuqisë të tij në vlerësim të rrethanave. Asnjëherë, përveç kritikave të vazhdueshme, ai nuk ka ofruar një shembull se qysh mund të fitonte Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht në një proces tjetër. Minimizimi i rëndësisë të njohjes ndërkombëtare, në fakt, ka qenë praktikisht komplementare me strategjinë e një shteti që vetë ai e quan armik. Në Nëntor 2007, Kurti thotë se jo vetëm që në Kosovë nuk do të vjen pavarësia por po përgatitet terreni për autonominë e Serbisë në Kosovën autonome brenda Serbisë. Pas Pavarësisë të Kosovës në Shkurt 2008,
Kurti vijon duke thënë se kjo është shpallje dhe nuk është bërje e pavarësisë ngaqë nuk ka pavarësi me rezolutë 1244 në fuqi. Është ky njeri që në konferencën e tij të parë për media të mbajtur në VV pas pavarësisë ka deklaruar se shpallja e pavarësisë të Kosovës është ‘një hap përpara, tre hapa mbrapa’. Për këtë vlerësim, besoj, duhet të mban përgjegjësi historike më tepër se takimi i kujtdo me këdo qoftë. Pas kësaj disfate politike dhe historike, Albin Kurti zbulon teorinë e Bashkimit Kombëtar dhe vë theksin tek mobilizimi eko-social dhe lufta anti-korrupsion. Këto dy të fundit kanë qenë prej faktorëve kryesorë që kanë kontribuuar në rikuperimin e tij. Sidoqoftë, pak kohë nga pavarësia e tutje, Kurti shndërrohet në subjekt elektoral pas njëmijë zotimeve publike se nuk do ta bënte asnjëherë. Ai është akomoduar si një ndërmarrje e zakontë elektorale dhe parlamentare pa adresuar asnjëherë përgjegjshëm dhe racionalisht evoluimin e tij në dritën e akuzave morale që i ka bërë dhe koncepteve politike që ka shpalosur ndër vite. Në fund fare, ai mund të akuzon këdo për ndikim të Serbisë në Kosovë por duhet të reflekton nëse prej qëndrimeve të tij nganjëherë fiton më tepër e para sesa e dyta. Albin Kurti është prej politikanëve që pikërisht në kohën kur fundi i pavarësisë të mbikëqyrur nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar ishte afër, ai ka luajtur rolin e sabotatorit praktik të planeve ndërkombëtare në terren (vendorëve dhe ICO e EULEX) me riskun për shtyrje të afateve ndërkombëtare për mbikëqyrje.
Kurti vazhdimisht thoshte se në politikë është tepër me rëndësi se ‘ujë në mulli të kujt çojnë’ veprimet tuaja. Në këtë premisë, ai duhet të mendon përse votimi i tij kundër MSA-së midis Kuvendit të Kosovës sikurse Lista Serbe. Pavarësisht defekteve të pjesshme të MSA-së që reflektojnë rrethanat e veçanta të Kosovës në shtet-bërje, ai ka marrë qëndrim të bllokoj raportin e pare formal midis Evropës dhe Kosovës. Veprimi në fjalë ju konvenon ekskluzivisht kolegëve të Stanishiqit dhe assesi forcave pro-evropiane në Kosovë. Në fund, ai përfaqëson njeriun që me retorikë nacionaliste ka bërë të njejtën fushatë të bojkotimit të simboleve të Kosovës që etablojnë veçantinë e saj reprezentative në terren ndërkombëtar sikurse opononeti kryesor i saj. Ndaj, është mirë që Kurti të mendojë më detajisht për format e mundshme të ndikimit të Serbisë në Kosovë para se të thur konspiracione mediale për përfitime politike. Kush e di – sipas metaforës të tij – punëtori i interesave të huaja duhet të fshihet pas nacionalistëve…
Në fund, Kurti tha në rast se kthehet në skenarë ndonjë iniciativë për ta bosnjëzuar Kosovën, ‘unë jam ai që më njihni’. Përfytyrimi i Kurtit për vetën e tij këtu është gjithsesi i parëndësishëm. Por cili është Kurti që ne njohim (së paku nga veprimtaria e tij e pasluftës)? Është Kurti që tërheq vërejtjen për të rinjtë se më shumë kanë dëshirë ta shfaqin dijen sesa ta rrisin atë përderisa në moshë të tyre ai mbante emisionin me Albinin në RTK ku, pothuajse si Shefqet Krasniqi, jepte përgjigje të gjithfarshme prej temave globale gjeostrategjike deri tek problemet me energji në Kosovën e pasluftës. Është Kurti që ka vazhduar si aktivist nëpër protesta për të zhdukur dhe iniciativa tjera me KAN për ta shndërruar atë në një iniciativë politike si VV. Kjo e fundit e mbante atë si lider – demokratikisht të pazgjedhur – duke mohuar se aty ekziston ndonjë strukturë hierarkike udhëheqëse ngaqë të gjithë janë të barabartë. Saktësisht si në skenarë oruellian, të gjithë ishin të barabartë por Kurti pak më i barabartë se të tjerët! Është Kurti që është zotuar se nuk do të bëhet asnjëherë subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje lokale/ parlamentare pa referendum paraprak por sot është subjekt politik që advokon për referendum. Është Kurti që ka kërkuar dialog me kushte paraprake dhe shumicën prej tyre i ka shndërruar në tema të dialogut në mundësinë e parë serioze për tu bërë pjesë e tij. Është Kurti që nga refuzimi kategorik i dialogut me Serbinë sot kërkon rivlerësim parlamentar të tij. Është Kurti që flet për angazhim të gjeneratave të reja në shoqëri dhe në të njëjtën kohë ka zgjedhur të mbaj afër vetëm fosilet historike të LPK-së dhe imponon largime të pjesës më punëtore dhe premtuese të subjektit të tij. Është Kurti që ka folur për vllazëri të brendshme politike dhe për kokëfortësinë e tij irracionale dhe ambiciet për tu bërë Kryetar i sërishëm ka mbaruar në një subjekt të përçarë me shumë skandale të shpalosura. Është Kurti që në këtë emision shfaqet si një advokues i çështjes të femrës brenda VV-së ka recituar poezi nëpër fushatë pa asnjë femër kandidate të propozuar për kryetare të komunave. Është Kurti që në emision thotë se nuk mund të ketë njerëz të mashtruar kur duhet të mbrohet nga kritika për të qenë i pasinqertë në raport me elektoratin ndërkohë që shkruan se Aida është mashtruar kur duhet mbrojë vetën nga sjellja destruktive në parti. Është, pra, Kurti që zhvillon ligjërime retorike dhe moralizim të vazhdueshëm në publik duke mos e mbështetur asnjërën substancalisht në qenien e vet. Kësisoj, ai mund të vazhdon me akuza ndaj të gjithëve por assesi nuk mund të pret më në mirëkuptim të zërave demokraik në këtë vend. Në antagonizma të tilla, gjithsesi, do të pikëtakohemi prapë në formë më të thelluar. Sa i përket këtij emisioni, komenti im mbyllet këtu.