Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh gjatë një bastisjeje të kryer në Mitrovicën e Jugut, si pjesë e hetimeve për një rast të dhunës në familje dhe dyshimeve për posedim të paligjshëm të armëve.
Sipas njoftimit zyrtar, bastisja u realizua nga hetuesit policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas hetimeve të zgjeruara dhe me autorizim të organeve kompetente, transmeton lajmi.net.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar:
-
Pesë (5) armë të gjata,
-
Një pistoletë me katër karikatorë,
-
Katërqind e dyzet e shtatë (447) fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Pas intervistimit nga hetuesit, ndaj të dyshuarit, një mashkull kosovar, prokurori i rastit ka lëshuar aktvendim për ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh. Ndaj tij janë iniciuar procedura për dy vepra penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Dhunë në familje”.
Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me prokurorinë kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rastit./lajmi.net/