Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneral major Enrico Barduani, sot priti të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, e shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë. Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u përqendrua kryesisht në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe dialogun e vazhdueshëm Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja.
Në këtë kontekst, Barduani përsëriti angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it drejt një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.
Ai gjithashtu vlerësoi profesionalizmin e kontingjentit britanik dhe shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë britanik në KFOR dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë vizitës, Pierce përcolli vlerësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e stabilitetit për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” thuhet në njoftim të KFOR-it.