back to top
Saturday, July 26, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditBarcelona po konsideron heqjen e shiritit të kapitenit nga Ter Stegen

Barcelona po konsideron heqjen e shiritit të kapitenit nga Ter Stegen

Të ngjajshme

Barcelona po shqyrton mundësinë t’i heqë shiritin e kapitenit portierit Marc-André ter Stegen, mes një përplasjeje të fortë me gjermanin rreth të ardhmes së tij dhe vendimit për të kryer një operacion pa miratimin e klubit.

Portieri 33-vjeçar njoftoi të enjten se do të i nënshtrohej një operacioni në shpinë, për të zgjidhur një problem që e kishte shqetësuar prej shtatë javësh, pas detyrës me kombëtaren e Gjermanisë. Ai deklaroi se do të mungojë për tre muaj, ndërkohë që klubi kishte shpresuar që të përdorte rregullin e emergjencës për të regjistruar Joan Garcia dhe Marcus Rashford, duke liruar hapësirë në kufirin e pagave – gjë që kërkon një dëmtim të paktën katërmujor.

Sipas Mundo Deportivo, kjo lëvizje e njëanshme e ka irrituar thellësisht Barcelonën, veçanërisht për faktin se Ter Stegen nuk pranoi të bënte një njoftim të përbashkët me klubin, siç ishte propozuar më herët. Ai gjithsesi veproi vetë dhe e publikoi vendimin.

Për më tepër, portieri është i pakënaqur me rrjedhjen e informacionit negativ në media, për karakterin dhe të ardhmen e tij, si dhe për nënshkrimin e Joan Garcia si zëvendësues i tij.

Tani, tre shtyllat e klubit – trajneri Hansi Flick, drejtori sportiv Deco dhe presidenti Joan Laporta – kanë rënë dakord për ta larguar Ter Stegen nga grupi i kapitenëve. Ata e shohin se skuadra nuk ka një urë të besueshme mes lojtarëve dhe stafit, ndërsa portieri ka munguar gjatë edhe sezonin e kaluar.

Hansi Flick do të ketë detyrën e vështirë t’ia komunikojë këtë vendim personalisht gjermanit.

Aktualisht, Ronald Araujo, Frenkie de Jong, Pedri dhe Raphinha janë nënkapitenët, dhe një prej tyre ka më shumë gjasa të marrë shiritin. Megjithatë, emra si Inigo Martinez, Robert Lewandowski, Ferran Torres dhe madje Lamine Yamal janë përmendur si kandidatë nëse Flick zgjedh të ndryshojë gjithçka.

Ky zhvillim përfaqëson një krizë të brendshme në radhët e Barcelonës, ku çështjet e komunikimit dhe besimit duket se po ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën dhe lidershipin e skuadrës./GazetaExpress/

- Advertisement -

Të Fundit