Barcelona e mposhti Al Ahlyn dhe e fitoi Trofeun Joan Gamper

Barcelona e ka mbyllur me sukses fazën përgatitore për sezonin e ri pasi e mposhti Al Ahlyn me rezultat 2-1 në edicionin e 61-të të Trofeut Joan Gamper.
Në një “Spotify Camp Nou” me 54,224 tifozë, katalanasit e nisën ndeshjen në mënyrë pozitive dhe arritën të shënonin dy herë në pjesën e parë, shkruan “Gazeta Express”.
Golin e parë për Barcelonën e realizoi Hamza Abdelkarim në minutën e 29-të.
Sulmuesi egjiptian, i cili më parë ishte pjesë e Al Ahlyt, realizoi pas një aksioni individual dhe nuk festoi për respekt ndaj ish-klubit të tij.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Barcelona e fitoi një penallti dhe Raphinha e mori përgjegjësinë për ekzekutimin.
Braziliani ishte i saktë nga pika e bardhë, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Ky ishte një moment i veçantë për Raphinhën, i cili e nisi ndeshjen si kapiten i Barcelonës pas vendimit për t’ia besuar atij shiritin e kapitenit.
Al Ahly reagoi në pjesën e dytë dhe arriti ta ngushtojë diferencën në minutën e 51-të. Zizo shënoi për skuadrën egjiptiane, duke i rikthyer emocionet në “Camp Nou”.

Lexo edheRikthimi i madh po vjen: A do të luajë Ronaldo në ndeshjen e nesërme të Al-Nassr?
Barcelona e pati mundësi të shënonte edhe golin e tretë në fund të ndeshjes. Anthony Gordon e fitoi një penallti, por sulmuesi anglez nuk arriti ta mposhtë portierin Mohamed El Shenawy, i cili e priti goditjen nga pika e bardhë.
Pavarësisht rasteve të humbura, Barcelona arriti ta ruajë epërsinë dhe fitoi 2-1, duke e siguruar Trofeun Joan Gamper.
Fitorja ishte gjithashtu mënyra perfekte për Barcelonën për t’i mbyllur përgatitjet para fillimit të sezonit të ri.
Skuadra e Hansi Flickit do ta nisë sezonin e ri në La Liga të dielën ndaj Elches.
Ndeshja ndaj Al Ahlyt shërbeu edhe si prezantim i skuadrës së re para tifozëve, me afrimet e reja si Rodri, Karim Adeyemi dhe Anthony Gordon, që e morën vëmendje të veçantë.
João Cancelo, ndërkohë, nuk u prezantua në fushë për shkak të problemeve me dokumentacionin e transferimit. /Gazeta Express














