Baraliu: E pafalshme mungesa e marrëveshjes, vendi ka plot emra për president

Profesori i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka kritikuar krizën politike në vend dhe mungesën e arritjes së një marrëveshjeje mes partive politike, nga e cila do të dilnin udhëheqësit e institucioneve.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, Baraliu ka thënë se është për keqardhje dhe e pafalshme mungesa e gatishmërisë së liderëve politikë për t’i sjell vendit institucione.
Ai ka thënë se në vend që të kërkohen afate shtesë jashtë Kushtetutës, çështja e emrit për presidentin e ri, do të duhej të zgjidhej brenda orëve.
“Kriteret janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë se çka duhet të ketë një kandidat për president ose presidente. E tëra është një zvarritje e panevojshme, madje që mund të hyjë në çështje interpretimi në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka nevojë as më tepër që të shtyhet. Ka mundur që sonte të përcaktojnë.”, ka thënë ai.
Baraliu ka thënë se vendi është në një paralizë politike, duke shtuar se shteti rrezikun të bie “në një gjendje të rënies së lirë”.

Lexo edheRizarta Hoxha dhe Arbër Çepani në një lidhje? fotoja që ndezi dyshimet
“Kosova ka panumër emra të tillë, nga burra dhe gra të këtij vendi dhe kjo nuk është fare vështirë për ata që janë në pushtet dhe nuk pretendojnë që të ketë aty personalitete që nuk i kryejnë detyrat e tyre…Për raste të tjera, kur dikush ka qëllime të tjera për të realizuar ndonjë synim elektoral, ose grabitje politike për kundërshtarët politikë është çështje tjetër dhe është diçka që nuk do të duhej të ndodhte.”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se partitë politike nuk e kanë marrë mesazhin e votuesve në zgjedhjet e fundit, pasi sipas tij, një numër i madh i tyre nuk kanë dalë për të votuar.
“Kjo betejë politike është e dëmshme dhe me pasoja të pariparueshme për vendin. Kjo klasë politike po dëshmohet e papërgjegjshme, por ai që ka vota më së shumti e ka përgjegjësinë primare, pastaj edhe të tjerat në propocion me përgjegjësinë që kanë marrë me votat e qytetarëve.”, ka thënë Baraliu.














