Kryetari aktual i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar se ka marrë besimin e degës së AAK-së për të garuar në zgjedhjet komunale edhe për një mandat.
Ai ka theksuar se kjo mbështetje e frymëzon atë për të kontribuar edhe më tej për zhvillimin e kësaj komune.
“Me propozimin e Këshillit Drejtues dhe organeve tjera drejtuese të Degës së AAK-së në Suharekë, kam marrë besimin dhe miratimin unanim, për kandidimin për Kryetar të Komunës së Suharekës në mandatin 2025- 2029. Kjo mbështetje më jep energji, frymëzim dhe mundësi që bashkë ta vazhdojmë ndërtimin dhe zhvillimin e komunës tonë”, ka thënë Muharremaj, raporton Telegrafi.
Ai ka shtuar se si gjithmonë me përkushtimin e njëjtë dhe të palëkundur do të vazhdojë angazhimin për punë të mira.
“Qytetarët vendosin për qeverisjen tonë të ardhshme dhe ne pa dyshim ju shërbejmë atyre”, është shprehur Muharremaj. /Telegrafi/