Besimtarët myslimanë në të gjithë botën shënuan këtë të premte Fitër Bajramin, festën më të rëndësishme të kalendarit fetar të Islamit.
Besimtarët u lutën jashtë mureve të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit. Një grup myslimanësh u lutën në rrugë pasi autoritetet izraelite i ndaluan ata të hynin në Xhaminë Al-Aksa.
Për herë të parë në dekada, myslimanët nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në lutjet e Fitër Bajramit në xhami për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli gjatë luftës me Iranin.
Me pjesën më të madhe të Gazës në rrënoja, palestinezët shënuan fillimin e Fitër Bajramit me lutje në oborrin e Sarayas në qytetin e Gazës, ku lutjet e Bajramit u mbajtën për herë të parë që nga fillimi i luftës në vitin 2023.
Ndërsa luftimet më të ashpra në Gaza janë qetësuar, armëpushimi është përballur pothuajse çdo ditë me sulme izraelite edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Egjiptianët morën pjesë në lutjet në një xhami në Kajro të premten për të shënuar festën e Fitër Bajramit. Jashtë xhamisë së famshme al-Seddik familjet u mblodhën së bashku ndërsa fëmijët luanin pas namazit.
Mijëra myslimanë boshnjakë u bashkuan në lutjet e Bajramit të Fitër të premten herët, ndërsa xhamitë në Sarajevë ishin të mbushura me besimtarë.
Myslimanët në Bosnjë tradicionalisht festojnë Bajramin brenda rrethit të tyre familjar ditën e parë, por ditën e dytë ata vizitojnë varrezat dhe luten për të afërmit e tyre të ndjerë.
Bajrami këtë vit shënohet mes luftës në Lindjen e Mesme, e cila ka tronditur shumë vende të rajonit dhe ka sjellë pasoja të mëdha ekonomike për pjesën tjetër të botës.