Bajrami: Deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë ndaj deputetëve të LVV-së, të cilët mbajnë edhe pozitat në ekzekutiv si ministra në detyrë.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se deputetët e LVV-së çdo ditë po e rëndojnë jetën e qytetarëve të vendit, dhe po e sfidojnë rendin kushtetues.
“Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës. Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e ‘ministrave’ në llogari të partive tjera”.
“U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: Askush mbi ligjin”, ka thënë Bajrami.
E njëjta i përmendi katër sqarime që sipas saj deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale duke mbajtur të uzurpuara pozitat qeveritare.

Lexo edheBE do t’i ndajë fonde Kosovës me buxhetin 2028-2034, Komisionerja Kos gabimisht thotë se Kosova ka marrë para nga Plani i Rritjes
“E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës. E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament. Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione. E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë”.
“E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se ‘Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve’. E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as strategji dhe madje as koncept dokument”, ka thënë Bajrami.
Bajrami shtoi se me ligjin që e kanë miratuar e hartuar vetë, deputetët e VV-së e kanë ndaluar të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.














