Intervista ekskluzive e DW-së me Ramush Haradinajn e publikuar më 23 janar 2017 dhe sidomos përmendja e faktit se ai u ndalua nga policia franceze në praninë e bashkëshortes (Anitës) dhe fëmijëve të tij (Gjinit, Hanës dhe Trimit) më kujtoi një ngjarje të jetës sime, të cilën e kam ndarë me lexuesit e medieve 10 vite më parë.
Po e parafrazoj të njëjtin shkrim, të përshtatur me rrethanat e reja.
Fushatat e bastisjeve dhe terrorit shtetërorë kundër shqiptarëve në ish Jugosllavi, maltretimet dhe skenat poshtëruese të familjeve shqiptare, trishtimi dhe traumat e fëmijëve shqiptar, arrestimet arbitrare dhe dhuna e ushtruar ndaj të paraburgosurve që të pranojnë veprat të cilat nuk i kanë bërë provokuan manifestime protestash në Maqedoni, Kosovë dhe nëpër vendet të ndryshme të shteteve të demokracive perëndimore. Një nga pankartat që më bëri përshtypje në mënyrë të veçantë dhe që provokoi kujtimet nga fëmijëria ime ishte pankarta që mbante një fëmijë: “Babi im nuk ka faj”!
Rreth 50 vite më parë, pas shpërthimit të demonstratave në Tetovë më 22 dhe 23 dhjetorit 1968 territoret e banuar me shumicë shqiptare u vunë nën çizmen e terrorit komunist ku familjet shqiptare bastiseshin dhe burrat maltretoheshin në prezencë të familjarëve të vet, prangoheshin në sy të fëmijëve dhe grave, tërhiqeshin zvarrë dhe dënoheshin në procese gjyqësore të montuara nga strukturat politike.
Dhuna dhe terrori shtetëror për disa muaj rresht mbajti nën orë policore, herë të shpallur e herë të pashpallur, territoret e banuara me shumicë shqiptare. Thellë në kujtesën time kanë mbetur të ngulitura skenat e atij mëngjesi të 18 shkurtit 1969, kur u zgjova nga zhurma dhe ulërimat e njerëzve të maskuar dhe me uniforma policore që rrotullonin çdo gjë që u dilte para vetes, që thyenin çdo orendi shtëpiake, që futnin hundët në çdo vrimë për të gjetur ndonjë dëshmi për veprimtarinë nacionaliste të babait tim. Edhe pse nuk gjetën atë që kërkonin babanë tim e morën me vete.
Më kanë mbetur thellë në kujtesë lotët e gjyshes (Hajries) dhe bërtitja e motrës sime (Mirushes) që ishte 11 vjeçare, se “Babai im nuk ka faj”! Atë ditë, rrugës për në shkollë, kuptuam se në lagjen tonë kishin burgosur shumë shqiptarë, më tej morra vesh se edhe Arifit, shokut tim të klasës, ia kishin burgosur babanë, mësueses sime, Emine Velës ia kishin burgosur vëllanë , … dhe në çdo klasë kishte ndonjë nxënës të cilit ia kishin burgosur prindin.
Tani, rreth 50 vite më vonë, janë fëmijë të tjerë që u burgosen baballarët dhe përjetojnë dhunën dhe terrorin policor njëlloj si para dhe gjatë 50 viteve. Logjika është e njëjtë me një ndryshim të vogël: në vend të akuzave për “nacionalizëm” tani akuzohen për “terrorizëm”, sepse terrorizmi është në modë për të stigmatizuar atë që dëshiron ta shkatërrosh…
Në protestën e organizuar para Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës, me kërkesë lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të Ramush Haradinajt, një fëmijë mbante një pankartë të titulluar: “Ramush Haradinaj nuk është fajtor”… Mu duk se shihja Gjinin, Hanën dhe Trim Haradinajn duke bërtitur në kupë të qiellit: “Babai im nuk ka faj”!
Po, po! Tani, pas 50 vitesh janë Bardhyl dhe Mirushe tjerë që brohorasin refrenin që nuk na u hoq qafe: “Babai im nuk ka faj”! Kanë plotësisht të drejtë! U them se baballarët e tyre nuk janë fajtorë! Fajtorë janë ata që e konsiderojnë veten si “baballarë të kombit” dhe për interesa personale dhe grupore kanë futur sytë dhe veshët në lesh dhe as nuk duan të shohin e as nuk duan të dëgjojnë klithjet e shqiptarëve të pafajshëm.
Bardhyl dhe Mirushe Mahmuti