Avokati i Popullit heton KEDS-in (Dokument)
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me dyshimet se qytetarëve nëpër komuna të ndryshme të Kosovës po u faturohet energjia elektrike e shpenzuar në veri të vendit.
Vlerësohet se më shumë se 8 milionë euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës, edhe më tutje vazhdon t’u shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.
“Duke u bazuar në raportimet mediale, Avokati i Popullit, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, ka vendosur të hetojë Ex Officio (sipas detyrës zyrtare) çështjen e shpërndarjes së vlerës së energjisë që shpenzohet në veri të vendit, nëpër fatura të qytetarëve gjithandej Kosovës. Siç raportohet në media, vlera vjetore e sasisë së energjisë së konsumuar në atë pjesë, llogaritet të jetë rreth 8 milionë euro, shumë e cila konsiderohet se u vihet në barrë qytetarëve në pjesët tjera të vendit”, thuhet në njoftimin për media të Avokatit të popullit.
Lexo edheNjë boshnjak dhe një ruse kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë
Nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh. /Gazeta Fjala/















