Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq tha se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.
“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën. ZPS tha në kundërpërgjigjet e tyre të hënë se mbrojtja nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj si gjykatës”, tha ai,
“Mbrojtja e di që do të pranoni provat tona. ZPS është që nuk dëshiron të bënin punën tuaj, por të atyre. Duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin. Ata dështuan të gjenin prova”, tha Mishetiq.
Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri “mëkat të madh”, pasi sipas tij, premtoi shumë, por nuk i mbështeti pretendimet me prova.
“Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël, por kanë paraqitur asgjë”, tha ai.
Në vazhdim të fjalës së tij, Mishetiq foli për atë që e cilësoi si ndryshim e paraqitjes së ZPS-së sa i përket provave të vetë Prokurorisë.
“ZPS kuptoi pastaj boshllëqet që kishte në javën e fundit kur mbrojtja paraqiti provat. Tani ajo po ndryshon paraqitjen e provave për të mbushur blloqet”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai tha se në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, ku janë paraqitur provat përmenden dy takime të Shtabit të Përgjithshëm, ku pretendohej se ishte folur për “luftën speciale” të të akuzuarve kundër bashkëpunëtorëve.
Mishetiq tha se mbrojtja vërejti se ZPS e ndryshoi këtë, duke përmendur në fjalën e saj para Gjykatës takime të tjera, përfshirë të 23 korrikut, 19 nëntorit dhe 20 dhjetorit 1998, të cilat tha se nuk ishin pjesë e dosjes përfundimtare të prokurorisë.
Duke folur për këtë ndryshim të ZPS, ai tha se shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi kishte qenë pjesë e këtyre takimeve, por Prokuroria tha se ai nuk ishte person i besuar i të akuzuarve.
Mishetiq tha se ZPS pretendon se në këto takime u diskutua për “avancimin e qëllimit të përbashkët kriminal”, por ngriti pyetjen se ZPS nuk e konsideron Zyrapin si pjesë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, tha ai, duke shtuar se ZPS e kuptoi se e dëmtoi veten duke thënë se Zyrapi nuk ishte pjesë e NPK-së.