Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi përmendi dëshmitarët ndërkombëtarë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”, tha ai në deklaratën përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.
Misetic përmendi figurat që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit si ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, ndër të tjerë, duke cituar edhe fjalë nga dëshmitë e tyre.
Ai iu përgjigj edhe pretendimit të Prokurorisë së Specializuar se këta dëshmitarë nuk ishin të informuar mirë për veprimtarinë e Thaçit dhe të ish-krerëve të tjerë të akuzuar të UÇK-së.
“Pretendimi i ZPS-së se dëshmitarët ndërkombëtarë nuk ishin të informuar është karakteristikë e veçantë”, tha ai, duke përmendur “natyrën centralizuar të komunikatave të UÇK-së, deklaratat politike, intervistat në media në çështjet, në provat e ZPS-së”, tha Misetic.
Avokati tha se dokumentet publike, në të cilat thirret Prokuroria për të pretenduar se Thaçi dhe të tjerët janë të fajshëm “duhet të kenë qenë në disponim të dëshmitarëve ndërkombëtarë të Mbrojtjes dhe të organizatave ndërkombëtare”.