Avokati i njohur kosovar, Besnik Berisha, në një intervistë për Indeksonline ka komentuar krizën institucionale dhe bllokadën në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar situatën si “alarmante dhe skandaloze”.
Ai u shpreh qartë se Presidentja e Republikës duhet urgjentisht t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë zgjidhje ligjore për situatën aktuale.
Sipas Berishës, bllokada që ka çuar në më shumë se 50 seanca të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit, dhe dështimi për ta bërë këtë brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, është tregues i qartë i krizës së thellë në politikëbërjen kosovare:
“Besoj që presidentja e Republikës duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Bllokada mbi 50 seanca dhe moskonstituimi brenda 30 ditëve është alarm i keq për nivelin e politikbërjes.”
Berisha kritikoi ashpër situatën ku, sipas tij, deputetë janë betuar paradite në Kuvend dhe pasdite janë bërë ministra, duke theksuar se kjo përbën shkelje serioze të rendit kushtetues.
“Skandalozja në shoqërinë tonë është që kemi deputetë që janë betuar në emër të Kushtetutës, para dite si deputet, pasdite si kryeministër e ministër. Po të isha prokuror, çdo veprim dhe vendim që merret në kuadër të një ministri për aq kohë sa e ka dhënë betimin si deputet, do ta ndjekja penalisht.”
Avokati denoncoi edhe marrëveshjet që, sipas tij, po bëhen në prapaskenë për të arritur konstituimin e Kuvendit në dëm të demokracisë.
“Janë disa që në emër të ashtuquajturës ‘stabilitet politik’ duan të bëjnë ujdi dhe marrëveshje me kryeministrin Kurti. Nismës sot me ja ofru postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, nesër i ki në Kuvend duke votu.”
Berisha përmendi edhe rolin pasiv të LDK-së, duke kërkuar një qasje më të fuqishme dhe udhëheqëse në këtë krizë.
“Po të isha në pozitën e LDK-së, nuk e kisha leju të jetë spektatore. Duhet të jetë më aktive. LDK-ja duhet të kthehet aty ku e ka vendin dhe të udhëheqë me vendin.” /Indeksonline/