Drejtori i Inspektoratit, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me Policinë kanë kryer kontrolle inspektuese në rajonin e qytetit të Mitrovicës, ku pas verifikimit, janë mbyllur dy barnatore dhe një kazino.
Qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orarit të punës nga ato subjekte afariste të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00 si dhe funksionimi i tyre pa licencë, transmeton Klan Kosova.
Sipas drejtorisë së Inspektoratit, këto subjekte afariste janë udhëzuar të pajisen me leje të veçanta për zgjatje të orarit të punës, por të njëjtat nuk e kanë respektuar një gjë të tillë.
“Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej dhjetë subjekte afariste, pas inspektimit u konstatua se dy barnatore nuk janë pajisur me leje për zgjatje të orarit të punës në bazë të Rregullores Komunale Nr. 03/2014 për caktim të orarit të punës dhe një kazino për mungesë të licencës”.
“Me këtë rast Drejtoria e Inspektoratit ka marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar përkohësisht zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve deri në eliminimin e parregullsive”.