Kandidati i PDK-së, Artan Behrami, ka njoftuar rikandidimin e tij për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke falënderuar të gjithë qytetarët që e mbështetën në zgjedhjet e fundit.
Në një postim në Facebook, Behrami tha se më 9 shkurt 27,143 qytetarë votuan për të, duke e mbajtur në mend emrin dhe numrin e tij në listë, raporton lajmi.net
Ai theksoi se mbështetja ka ardhur nga të gjitha shtresat e shoqërisë: veteranë, gazetarë, artistë, pjesëtarë të sigurisë, mjekë, të rinj e pensionistë dhe se kjo e ka bërë rrugëtimin e tij politik një kauzë të përbashkët.
“Fushata e nisur muaj më parë nuk ka përfunduar! Unë nuk kam ndryshuar. Unë jam i njëjtë,” shkroi Behrami, duke theksuar se motivimet e tij politike mbeten të pandryshuara.
Postimi i tij i plotë:
Më 9 shkurt, 27,143 qytetarë të Kosovës janë zgjuar në mëngjes, i kanë pastruar dhëmbët, i kanë larë sytë, e kanë mbajtur në mend emrin tim dhe numrin 75 në listën e PDK-së.
Më mbështetën veteranët e luftës, gazetarët, artistët, policët, ushtarët, mjekët, biznesmenët, pensionistët, gratë dhe të rinjtë.
Mirënjohje e pafund për besimin dhe mbështetjen!
Nga fushata e kuptova që ky rrugëtim nuk ishte më vetëm i imi!
Ishte një mbështetje për njerëzit dhe temat që kam përfaqësuar!
Fushata e nisur muaj më parë nuk ka përfunduar!
Prandaj edhe motivi është i njëjtë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë ata që po mbahen në Hagë.
Motivi i dytë i njëjtë: Bedri Hamza, kryeministër!
Në pesë vjetët e fundit jemi përballur me përndjekje, persekutim, tentim për ndërrim të historisë nga Gjykata Speciale.
Jemi përballur me dështime dhe keqqeverisje.
Për të dyjat e kam ngritur zërin edhe si deputet!
Do ta ngre edhe në të ardhmen, kudo që do të jem.
Prandaj, kërkoj mbështetjen e secilit prej jush!
Mbani në mend sërish numrin 75.
Ky është numri im në listën e PDK-së.
Të gjitha betejat i kam filluar nga fundi.
Të gjithave u kam dalë në krye./Lajmi.net/