Njësiti për Reagim të Shpejtë i Policisë së Kosovës në Kryeqytet ka arrestuar sot një person në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi për Lajmi.net se rreth orës 14:30 është ndaluar një veturë, gjatë kontrollit të së cilës është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.
“I dyshuari E.S., 35-vjeç, është shoqëruar në stacion policor. Në konsultim me prokurorin e shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve’”, tha Pllana.
Policia e Kosovës përsëriti përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e çfarëdo rreziku që cenon rendin dhe qetësinë në vend./lajmi.net/