Anulohen të gjitha aktivitetet përkujtimore të dëshmorëve e martirëve në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur sot në takim udhëheqësit e Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, në të cilin takim bazuar në vendimet e Qeverisë dhe me qëllim të parandalimit të infeksionit COVID-19, u dakorduan që të anulohen të gjitha aktivitetet përkujtimore të dëshmorëve e martirëve në Komunën e Skenderajt të parapara të mbahen në këtë periudhë.
“Me këtë rast Kryetari Jashari ka kërkuar nga qytetarët që të evitojnë tubimet e tilla të cilat sipas tij në situatën që gjendemi mund të rrezikojnë shëndetin e shoqërisë sonë”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij takimi u dakorduan po ashtu që në Ditën e Çlirimit të komunës sonë, me 18 qershor të këtij viti të organizohet një Akademi Përkujtimore, në kujtim e nderim të të gjithë dëshmorëve e martirëve të komunës sonë.
“Sot nderojmë dëshmorët e martirët, jetësojmë amanetin e tyre duke qenë të bashkuar para sfidave që kemi, duke qenë solidar e duke u kujdesur për njëri-tjetrin, për të mirën e përgjithshme. Ky ishte ideali i të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën”, ka vlerësuar Jashari.

Lexo edheVjosa Osmani ka votuar kundër mbajtjes së seancës së nesërme, thotë Rexhep Selimi
Jashari ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të zbatojnë masat për parandalimin e infeksionit COVID-19.
“Të dashur qytetarë, po bëhen 2 javë që nga shfaqja e corona virusit në Kosovë dhe fatmirësisht ende në Komunën tonë nuk kemi raste të infektuara, kjo edhe si rezultat i zbatimit të masave parandaluese që keni përfillur, andaj ju ftoj e kërkoj nga ju që të vazhdoni të qëndroni në shtëpitë tuaja, me më të dashurit tuaj, duke kaluar kohë së bashku me gjeneratat e reja e duke iu mësuar atyre atdhedashurinë e historinë tonë të lavdishme që kemi”, tha Jashari.
Në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve! Pa frikë e panik por me kujdes të shtuar, jemi bashkë dhe do t’ia dalim! /Telegrafi/














